Plani i madh i Joan Laportës

Futboll

Plani i madh i Joan Laportës

Më: 19 shtator 2021 Në ora: 12:26
Plani i madh i Joan Laportës

Barcelona është duke kaluar nëpër një krizë të madhe si financiare ashtu edhe sportive.

Largimi i Lionel Messit nga klubi ka lënë pasoja, por te Barça ishin të detyruar të bënin shkurtime në paga.

Disa nga yjet e skuadrës kanë pranuar të ulnin ndjeshëm pagat e tyre, vetëm e vetëm që klubi t’i bëjë regjistrimet e transferimeve të reja dhe ta stabilizoj buxhetin.

Por një verë e nxehtë na pret sa i përket transferimeve te Barcelona.

Mundo Deportivo ka raportuar se presidenti i katalunasve, Joan Laporta është duke përgatitur transferimin e tre top lojtarëve për vitin e ardhshëm.

I pari në listë mbetet Paul Pogba, me francezin që do të dalë lojtar i lirë në fund të sezonit, pasi i skadon kontrata me Djajtë e Kuq.

Pas Pogbas në listën e dëshirave është Erling Haaland, ku norvegjezit do t’i aktivizohet klauzola e largimit nga Dortmund për vetëm 75 milionë euro.

Për dy lojtarët e lartë përmendur Laporta ka biseduar tanimë me agjentin e tyre Mino Raiola dhe është i gatshëm t’ia plotësojë të gjitha kërkesat.

Ndërkohë lojtari i tretë në listën e dëshirave është Dani Olmo, një futbollist që ka dalë nga La Masia.

Barcelona tentoi transferimin e tij edhe në fundin e afatit kalimtar veror, por nuk kishte kohë që të kompletohej ky transferim.

Për mesfushorin ofensivë duhet të shpenzohen rreth 60 milionë euro për ta blerë nga Leipzig.

Në rast se kompletohen këto tri transferime, atëherë Barcelona pritet të bëjë një skuadër të fuqishme për edicionin e ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat