Gjysma e Europës në ndjekje të talentit të River Plate

Futboll

Gjysma e Europës në ndjekje të talentit të River Plate

Më: 8 tetor 2021 Në ora: 12:02
Gjysma e Europës në ndjekje të talentit të River Plate

Është konsideruar si futbollisti më i mirë i kampionatit argjentinas dhe së fundi sapo ka vendosur derbin e zjarrtë mes River Plate dhe Boca Juniors. Bëhet fjalë për Julian Alvarez, futbollist 21-vjeçar që luan për “Los Millioneros” dhe që me performancën e tij ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve europiane.

Një futbollist i kompletuar, që ka treguar se di të lëvizë si një sulmues tipik, di të spostohet në krah, por edhe të luajë si fantazist, teksa nga marsi e deri në shtator, ka shënuar 9 gola, duke merituar edhe ftesën nga Lionel Scaloni në përfaqësuesen argjentinase.

“River ka Thomas Mullerin e tij. Në Gjermani thonë që Muller nuk ka një rol të tijin në fushë dhe e njëjta gjë ndodh edhe me Alvarez. Ai nuk është një numër 9, nuk është një sulmues krahu dhe nuk është as fantazist, por është pak nga të gjitha këto dhe kjo e bën të paparashikueshëm në fushën e lojës”, do të shprehej për të gazetari i njohur argjentinas Federico Bulos.

Aktualisht Alvarez ka kontratë me River Plate, por edhe një klauzolë prishjeje me vlerën e 25 milionë eurove, e cila është e vlefshme deri në fund të këtij viti, ndaj shumë klube janë vënë në lëvizje për të përfituar sa më shpejt nga rasti.

Momentalisht menaxheri i sulmuesit 21-vjeçar është kontaktuar nga drejtuesit e klubeve si Milani, Tottenhami, Aston Villa, Interi, Sevilla e Barcelona, megjithatë pretendentët mund të shtohen edhe më shumë në ditët e ardhshme, ndërsa Europa tashmë është shumë pranë për Alvarez.

Në fakt “kontinenti i vjetër” ka qenë shumë pranë edhe 10 vite më parë për futbollistin e talentuar, që zbulon se në 2011-ën mbërriti në Madrid për të bërë një provë te Reali, ku tregoi aftësitë e tij, por më pas transferimi dështoi për arsye të paqarta.

Megjithatë tani ai është një futbollist shumë më i pjekur, i rritur në të gjithë drejtimet, i gatshëm të marrë përgjegjësi të mëdha në fushë dhe sigurisht për të treguar se vlen edhe në ligat më të forta të futbollit europian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat