FSHF: Mbështetja e tifozëve tanë, objekt krenarie për ne

Futboll

FSHF: Mbështetja e tifozëve tanë, objekt krenarie për ne

Më: 14 tetor 2021 Në ora: 10:31
Foto Ilustrim

Ndeshja e fundit e muajit tetor për Kombëtaren e Shqipërisë ishte ajo kundër Polonisë, në të cilën “Kuq e Zinjtë” pësuan humbje me rezultat minimal 1:0.

Gjatë ndeshjes kishte edhe incidente nga ana e tifozëve shqiptar, ku filluan të hedhin gjësende drejt golashënuesit Karol Swiderski, gjë kjo që bëri që ndeshja të ndërpritet për 12’ minuta, përcjell KosovaPress.

Raportohet se ky akt nuk e paraqet Shqipërinë mirë në shtëpinë e UEFA-s, pasi që prej muajsh janë në bisedime për aspektin e sigurisë në stadiume, ku edhe do të zhvillohet finalja e këtij sezoni 2021/22 të UEFA Conference League.

Me këtë rast, ka reaguar Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), e cila përmes një deklarate të lëshuar për media nuk ka fajësuar tifozët “Kuq e Zi” për aktin e ndeshjes me Poloninë, pasi që pas atij akti qëndrojnë vetëm disa individë të caktuar.

“Ne jemi të vetëdijshëm se incidentet e të martës në mbrëmje nuk na nderojnë. Duhet të nxjerrim të gjithë mësime për sa na përket si organizatorë. Kishim 22 mijë tifozë të shkëlqyer dhe vetëm dhjetëra individë na njollosin gjithçka të mirë që skuadra ka bërë deri më tani.

“Një gjë është shumë e qartë: Ne nuk kemi tifozë të dhunshëm, nuk kemi një historik të tifozëve problematik, përkundrazi sjellja e shkëlqyer dhe mbështetja që tifozët tanë japin në ndeshjet dhe jashtë fushe është bërë objekt krenarie për ne”, shkruante në deklaratën e FSHF.

Po ashtu, FSHF ka fajësuar tifozët polak për incidentin e së martës, pasi që këta të fundit në vazhdimësi kanë provokuar publikun shqiptar.

“Ngjarjet e djeshme janë pasojë e një provokimi të vazhdueshëm, dhe një sjelljeje shumë agresive nga ana e tifozëve polak që kanë goditur për gati 2 orë tifozët tanë në dy tribuna. Tifozët polak njihen për të tilla sjellje dhe prej ditësh të gjithë autoritetet e përfshira në ndeshje kanë bërë maksimumin për të parandaluar ngjarje më të rënda”, shkruante FSHF.

Në fund Federata Shqiptare e Futbollit kërkoi reflektim nga të dy palët që mos të ketë incidente të llojit të këtillë në ndeshjet e radhës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat