Sheikët nuk e lëshojnë

Futboll

Sheikët nuk e lëshojnë

Më: 4 nëntor 2021 Në ora: 12:24
Sheikët nuk e lëshojnë

Negociatat për ta sjellë Xavi Hernandez në stolin e Barcelonës janë në një pikë kthese të mundshme, pas shkarkimit të Ronald Koeman, javën e kaluar. Sot, raportojnë gazetat spanjolle, do të jetë vetë ish-mesfushori i Blaugrana-ve, ai që do të takohet me Sheikh Mohammed bin Khalifa Al Thani, president i Al Sadd, për të negociuar largimin nga klubi i Katarit.

“Mezi pres të kthehem në shtëpi, por është çështje respekti. Unë kam një kontratë dhe të dyja klubet duhet të bien dakord”, – tha Xavi Hernandez pas barazimit 3-3 mes Al Sadd dhe Al Duhail. Prandaj, tekniku shpreson se marrëveshja mund të vijë, do të mbërrijë. Ajo do të jetë çështje orësh, ndoshta ditësh, sipas Xavi.

Spanjolli është trajner i klubit të Katarit që nga viti 2019 dhe ka ende 2 vite kontratë. “Të dyja klubet janë në bisedime, – kujtoi ai. – Jam shumë i emocionuar që mund të kthehem në shtëpi, aq më tepër si trajner i Barcelonës. Një pozicion që ka shumë përgjegjësi, por jam tejet i motivuar”.

Xavi shpjegoi se ka një “klauzolë të vogël lirimi” në kontratën e tij me Al Sadd, e cila vërtitet te rreth pesë milionë euro. “Unë jam shumë pozitiv, kështu jam, kam qenë shumë i qartë për atë që dua”, – shtoi Ish-mesfushori blaugrana.

Barcelona dërgoi dje zëvendëspresidentin Rafa Yuste dhe drejtorin sportiv Mateu Alemany në Doha për bisedime, por presidenti i klubit, Joan Laporta, nuk është me ta. Alemany dhe Yuste ndoqën ndeshjen e Al Sadd kundër Al Duhail nga tribuna. Drejtori ekzekutiv i Al Sadd, Turki Al-Ali bëri një deklaratë dje:

“Ne e mirëpresim vizitën e delegacionit të Barcelonës, e vlerësojmë dhe e respektojmë atë. Qëndrimi i klubit tonë është i qartë qysh në fillim: jemi të përkushtuar të mbajmë trajnerin tonë, Xavi. Nuk mund ta lëmë të largohet në këtë moment delikat të sezonit”.

Xavi u pa duke përshëndetur lojtarët e tij në tunelin e stadiumit, pas fishkëllimës së fundit të kryesorit.

Trajneri i ekipit B të Barcelonës, Sergi Barjuan, pritet të qëndrojë në detyrë për ndeshjen e së shtunës në La Liga, ndaj Celta Vigo, me Xavi që ka të ngjarë ta marrë drejtimin e katalanasve gjatë pushimit, kur do të luajnë kualifikueset ekipet kombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat