Tirana AS merr fitoren e parë në kampionat

Futboll

Tirana AS merr fitoren e parë në kampionat

Më: 21 nëntor 2021 Në ora: 13:17
Tirana AS merr fitoren e parë në kampionat

Janë luajtur këtë fundjavë ndeshjet e javës së gjashtë të Kampionatit të femrave. Në takimet e zhvilluara nuk ka pasur surpriza nga ekipet e mëdha, ku Apolonia vazhdon të kryesojë pas fitores në transfertën e Shkodrës, ku mundi Atletik Club me shifrat 0-8. Tripletat e E.Gashit e Klea Hamonikaj, si dhe një dy golësh i L.Gashit i dhanë tre pikëshin e radhës fierakeve.

Nuk ka surpriza as nga dy ndjekëset e Apolonisë në kampionat, pasi Vllaznia ka marrë një fitore të thellë dhe të pastër në Shkodër kundër Kinostudios. 10-0 ishte rezultati final, me shkodranet që renditen në vendin e tretë me 13 pikë, me një ndeshje më pak.

Ndërkaq, edhe Tirana ka fituar në transfertën e Korçës, me ekipin bardheblu që nuk ka njohur asnjë disfatë në gjashtë javët e para të kampionatit. Kryeqytetaset fituan me gola të Maxhalakut, Kodrës, Gjonit dhe dopietën e Jehona Cokës. Me 15 pikë dhe një ndeshje më pak, Tirana mban vendin e dytë në kampionat.

Sakaq, Tirana AS ka arritur fitoren e parë në kampionat, teksa ka fituar ndaj ekipit të Lushnjes me rezultatin 4-1. Kryeqytetaset nuk e kishin shijuar ende pikën e parë në këtë sezon, teksa i falen në këtë fitore tripletës së Rabije Totës dhe golit të Koldashit. Goli i vetëm për myzeqaret u shënua nga Muhaj nga pika e bardhë e penalltisë.

Murlani ka marrë një tjetër tre pikësh në kampionat, teksa të shtunën luajti kundër Teutës, të cilat i mundi me shifrat 5-0.

Pas mbylljes së javës së gjashtë, Apolonia kryeson renditjen me 16 pikë, një pikë më shumë se Tirana e vendit të dytë që ka 15 pikë. Në vendin e tretë vjen Vllaznia me 13 pikë.

Rezultatet e javës së gjashtë

Atletik Club 0-8 Apolonia

KF Murlani 5-0 KF Teuta

KF Skënderbeu 0-5 Tirana

Vllaznia 10-0 Kinostudio

Tirana AS 4-1 Lushnja

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat