Manchester City e demolon Newcastlen

Futboll

Manchester City e demolon Newcastlen

Më: 19 dhjetor 2021 Në ora: 17:05
Manchester City e demolon Newcastlen

Manchester City e ka shkatërruar plotësisht 4:0 Newcastle Unitedin, ndërkohë që Chelsea është ndalur nga Wolves me një barazim pa gola, duke e bërë një tjetër hap mbrapa në garë për titull.

Ruben Dias e hapi serinë e golave pas vetëm pesë minutave lojë në St. James’ Park, para se Joao Cancelo ta dyfishonte epërsinë në minutën e 27-të.

Riyad Mahrez e trefishoi epërsinë për skuadrën e Pep Guardiolës në minutën e 63-të, me Raheem Sterling që e vulosi fitoren e thellë katër minuta para fundit.

City e shkeli plotësisht Unitedin duke e mbajtur topin në këmbët e veta 71% të kohës dhe duke i lejuar vendasit ta bëjnë vetëm një goditje në kornizën e portës së Edersonit gjatë 90 minutave.

Kjo ishte fitorja e tetë radhazi për Cityn në Premierligë dhe bën që skuadra e Guardiolës t’i mbledhë 44 pikë në vendin e parë në tabelë, katër më shumë se Liverpooli që sot më vonë takohet me Tottenhamin.

Newcastle, ndërkohë, vazhdon të shohë ditë të vështira dhe ngel e parafundit në tabelë me vetëm 10 pikë nga 18 ndeshje, tri pikë larg zonës së shpëtimit nga rënia prej ligës.

Në ndeshjet tjetër të zhvilluar në të njëjtën kohë, Chelsea është ndalur nga Wolves me një barazim 0:0, duke e bërë një hap tjetër mbrapa në garë për titull.

Chelsea kishte kërkuar nga Premierliga ta shtynte këtë ndeshje për shkak se disa lojtarë kyçë i ka të infektuar me Covid-19, por kërkesa e saj u refuzua dhe Thomas Tuchel i kishte vetëm gjashtë futbollistë rezervë në stol.

Të kaltrit mbizotëruan në Molineux Stadium, por nuk ishin në gjendje të krijonin mjaftueshëm për ta mposhtur Wolvesin.

Ky ishte barazimi i dytë radhazi për skuadrën e Tuchel dhe ndeshja e katërt në gjashtë të fundit që lëshon pikë.

Si pasojë, Chelsea mbetet i treti në tabelë dhe tani ngel gjashtë pikë mbrapa liderit Manchester City.

Wolves është në vendin e tetë me 25 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat