Shifrat nuk gënjejnë

Futboll

Shifrat nuk gënjejnë

Më: 28 dhjetor 2021 Në ora: 11:48
Shifrat nuk gënjejnë

Vllaznia e këtij sezoni shikohet më e fortë dhe një skuadër me më shumë pretendime sesa ajo e një sezoni më parë, por nisur nga statistikat, një gjë e tillë nuk duket konkrete. Në një vëzhgim të “Panorama Sport”, për krahasimin e renditjeve pas 15 javësh kampionat, kupton qartë se sa larg është Vllaznia e sotme ndaj asaj të sezonit të kaluar.

Diferenca e pikëve mes sezonit të kaluar dhe atij aktual është në dominancë, me plus 10 pikë më shumë skuadra e vjetshme. Në sezonin aktual, skuadra shkodrane mori vetëm 25 pikë nga 45 të mundshme, duke qenë e katërta në renditje dhe me një diferencë prej 8 pikësh nga kreu.

Ndërsa ajo e sezonit të shkuar kishte grumbulluar plot 35 pikë, duket udhëhequr me plot meritë e vetme kampionatin, madje me plot 9 pikë si ndjekësi më i afërt, që vjet ishte Partizani.

FITORET DHE GOLAT
Vllaznia e këtij sezoni ka arritur që të marrë 6 fitore dhe 7 barazime, ndërsa është mposhtur vetëm 2 herë, duke pasur një golavarazh 23-16.

Shkodranët e Tomas Brdariç janë ekipi rekordmen sa u përket barazimeve, pasi kanë plot 7 të tilla në vetëm 15 javë kampionat. Vetëm Tirana dhe Kukësi janë skuadrat e vetme që kanë mposhtur Vllazninë këtë sezon.

Nëse shikon shifrat e sezonit të kaluar në 15 javë, të njëjta me sezonin aktual janë vetëm 2 humbjet, pasi ekipi vjet bëri 11 fitore dhe 2 barazime. Këto shifra janë fantastike për një skuadër që synon titullin, por që Vllaznia aktualisht nuk i ka, edhe pse drejtuesit janë të bindur se kanë ndërtuar një skuadër më cilësore se sezoni i kaluar.

Gjithsesi, pavarësisht nisjes perfekte në sezonin e kaluar dhe diferencës deri në 9 pikë me ndjekësit, në fund Vllaznia u dogj për titullin vetëm sa i përket golavarazhit. Tashmë ajo që të gjithë presin është shpërthimi i Vllaznisë në pjesën e mbetur të këtij sezoni, teksa mbeten për t’u luajtur edhe 21 ndeshje.

Besimi i Tomas Brdariç është i madh për një fund të lumtur, duke rikthyer titullin në Shkodër pas plot 22 vitesh. Kësisoj, pas rikthimit të Kupës në qytetin verior, tashmë ëndrra është titulli dhe investimi këtë sezon i presidencës është shumë më i madh se vjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat