Rrëfim shokues i Rooneyt

Futboll

Rrëfim shokues i Rooneyt

Më: 9 shkurt 2022 Në ora: 12:52
Rrëfim shokues i Rooneyt

Në një intervistë të gjatë, të dhënë për Sky Sport, Wayne Rooney ka shkaktuar polemika të shumta, teksa së fundi ka rrëfyer një episod të ndodhur në 2006-ën, që ka shokuar jo pak botën e futbollit në Angli dhe jo vetëm.

Ish sulmuesi anglez, aktualisht trajner i Derby County-t, ka rrëfyer se në ndeshjen përballë Chelsea-t në 2006-ën ka vendosur qëllimisht taka metalike, për të dëmtuar londinezët dhe viktimë kishte rënë vetë kapiteni John Terry.

“E dinim që po të fitonte Chelsea, do të merrte titullin kampion, ndaj vendosa të zëvendësoj takat plastike me majë metalike, që vishja gjithmonë, me të tjera të gjata dhe tërësisht metalike, në mënyrë që të ndërhyja fort në dyluftime dhe kështu bëra. John Terry la stadiumin me paterica pas ndeshjes. I bëra një vrimë në këmbë dhe disa javë më vonë fola në telefon për t’i kërkuar mbrapsht takën që kishte mbetur brenda”, rrëfen Rooney.

Deklarata e 36-vjeçarit, që në 2006-ën ishte pjesë e Manchester United, ka nxitur reagim e zemërim të fansave në rrjetet sociale, teksa tashmë edhe Federata Angleze e Futbollit ka kërkuar që Rooney të sqarojë më mirë incidentin e ndodhur dhe nuk përjashtohet të hapë një hetim.

Në një rast të ngjashëm, ish mesfushori i Manchester United, Roy Keane zbuloi në librin e tij biografik se kishte dëmtuar qëllimisht norvegjezin Inge Haaland në një derbi të 2001-shit dhe për këtë u pezullua me 5 javë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat