Nagelsman dështoi me skemën

Futboll

Nagelsman dështoi me skemën

Më: 18 shkurt 2022 Në ora: 16:17
Nagelsman dështoi me skemën

Bajerni i Mynihut nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 në ndeshjen e parë të fazës së 1/8-ave në Champions. Gjermanët i shpëtoi në fund Kingslei Koman, i cili me golin e tij shmangu një humbje të sigurt në Salcburg.

Sistemi i përdorur nga Julian Nagelsman nuk arriti të jepte rezultatet e kërkuara nga tifozët. Presingu i bërë nga lojtarët nuk ishte eficient sa pritej. Linjat vertikale mes reparteve ishin shumë larg njëra-tjetrës.

Skuadra e Salcburgut ishte në gjendje të luante topin lirshëm në mesin e fushës duke krijuar aksione të rrezikshme. Një tjetër faktor që nuk solli rezultat ishte pjesa ku Nagelsman përdori lojtarët e krahut si mbrojtës.

Kjo nuk u interpretua mirë nga Koman dhe Gnabri. Të dy janë shumë të mirë në fazën sulmuese, por janë shumë të dobët në atë mbrojtëse duke lënë shumë herë kundërshtarin të pamarkuar.

Një skemë e tillë nuk mund të aplikohet me lojtarë të tillë dhe Nagelsman duhet ta kishte menduar mirë këtë gjë para ndeshjes. Me sa duket trajneri ka mangësi në njohjen e aftësive të lojtarëve të tyre.

SULMI DHE LODHJA Në shumicën e ndeshjeve në këtë sezon, Bajerni ka luajtur me tre sulmues, LevaSane dhe Gnabri. Por, në ndeshjet e fundit lojtarët janë detyruar të sakrifikohen për t’ju përshtatur skemës së trajnerit duke dalë nga loja e tyre.

Faza e dytë në Bundesligë sapo ka nisur dhe me Champions-in në rrezik, skuadra gjermane duhet të përveshë mëngët nëse kërkon të ruajë traditën. Një tjetër gjë që bie në sy është dhe lodhja.

Shumë lojtarë nuk duken të freskët dhe kjo ka shqetësuar shumë tifozët të cilët në këtë fazë të sezonit presin shpërthimin e skuadrës. Nagelsman do të ketë një punë jo shumë të lehtë, vënia e skuadrës në shinat e duhura do të kërkojë durim dhe shumë guxim.

Të gjithë kemi qenë dëshmitarë të një skuadre e cila kur ka luajtur në potencialin e saj të vërtetë ka arritur të prodhojë një futboll të bukur dhe rezultativ.

Por, koha nuk është në krahun e bavarezëve, të cilët tani duhet të tregojnë se janë me meritë në krye të Bundesligës dhe një nga skuadrat favorite për të fituar Champions-in në këtë sezon. Maji është ende larg, por gjithçka duhet të ketë një pikënisje dhe ndoshta gabimet në dy ndeshjet e fundit do të shërbejnë si mësim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat