Fitore nën ritmet Sambas

Futboll

Fitore nën ritmet Sambas

Më: 19 shkurt 2022 Në ora: 15:48
Fitore nën ritmet Sambas

Egnatia rigjen fitoren në Abissnet Superiore pas pesë javësh. Ekipi nga Rrogozhina mposhti 2-0 Skënderbeun në “finalen” e mbijetesës, falë golave dy brazilianëve Pedro Augusto dhe Jackson.

Suksesi i sotëm ka ngjitur Egnatian në vend të shtatë me 19 pikë, po aq sa numëron edhe Dinamo. Përballja e luajtur në “Arena Egnatia” ishte e luftuar dhe plot raste. Krizë tek ekipi korçar, që sot regjistroi humbjen e pestë radhazi në kampionat.

Duranski dhe Agbekpornu dhanë sinjalet e para për vendasit, të cilët ia dolën të kalojnë në avantazh pas çerek ore lojë. Rexhepi grushtoi gjuajtjen e Ilirid Ademit, por nuk kishte çfarë të bënte përballë Pedro Augustos.

Goli i pestë në kampionat për sulmuesin brazilian, teksa Dajan Shehi dhe Elvi Berisha iu afruan barazimit. Kryesori Meta largoi me të kuq zv trajnerin e Skënderbeut Gentian Liço për protesta, shkruan Supersporti.

 

Pjesa e dytë ishte edhe më e bukur. Ilirid Ademi iu afrua golit për ekipin e Zekirija Ramadanit me një kthesë të bukur pas një skeme, por topi përfundoi mbi tra. Belajdi Pusi pati një shans të artë, por nuk e devijoi topin në rrjetë.

Më pas provoi edhe Alfred Mensah. Sulmuesi ganez kreu dy driblime të bukura në zonën e Egnatias, por Puja priti pa probleme gjuajtjen e dobët të Mensah. Pedro Augusto iu afrua golit të dytë personal, teksa minuta e 76-të solli edhe shpërthimin e tifozëve në stadium.

Braziliani Jackson gjeti trekëndëshin e portës korçare pas një gjuajte shumë të bukur. Topi preku shtyllën përpara se të ndalej në rrjetë, dhe 2-0 për Egnatian, që ia doli t’i menaxhonte mirë minutat e mbetura.

Java e 21-të

Egnatia-Skënderbeu 2-0 (Pedro Augusto 15′, Jackson 76′).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat