Koeman thyen heshtjen e tij në gazetën holandeze

Futboll

Koeman thyen heshtjen e tij në gazetën holandeze

Më: 3 mars 2022 Në ora: 12:58
Koeman thyen heshtjen e tij në gazetën holandeze

Ronald Koeman theu heshtjen e tij në gazetën holandeze “Algemeen Dagblad” këtë të enjte. Aty e përshkroi largimin nga stoli i Barçës si “momentin tim më të vështirë si trajner”. Sigurisht, nuk mohuan ankesat e tij për trajtimin e marrë në Barcelonë: “Nuk më dhanë të njëjtën kohë si Xavit. Laporta më tha një mijë herë se Xavi nuk do të ishte trajneri i tij, sepse i mungonte përvoja”.

Koeman shtoi se “nuk do të më shihni në ‘Camp Nou’ për një kohë, nuk mund ta bëj këtë ende. Me këtë president nuk mund të pretendoj se asgjë nuk ka ndodhur”. Pra, duket qartë se është ndarë keq me Joan Laporta.

Ronald iu referua edhe Xavit, në një moment të mirë, pas fillimit të vështirë në pankinën blaugrana: “Nuk ma dhanë kohën që i dhanë trajnerit të ri, Xavi. Është ende e dhimbshme për mua. Po punoja me shumë të lënduar. Tani Pedri është kthyer në formë, edhe Ousmane Dembélé… Mund të shihni gjithçka”.

​​Xavi, gjithashtu kishte shumë lojtarë të lënduar fillimisht, prandaj Koemanit i vjen keq që nuk kanë pasur më shumë durim me të: “Çdo trajner ka nevojë për kohë dhe durim nga bordi drejtues”. Koeman theksoi: “Unë jam i lumtur për klubin, pasi gjërat po shkojnë më mirë tani, edhe për lojtarët. Është mirë të shohësh Frenkie de Jong duke luajtur futboll të mirë të modës së vjetër, ai ka kaq shumë cilësi”.

Koeman thotë se ndoshta mendoi shumë për interesat e klubit dhe jo për veten e tij, u pendua që humbi lojtarë si Messi. “Me këmbënguljen e drejtuesve të klubit pranova largimin e disa lojtarëve për të rregulluar financat. Por, kur shihni se ata marrin dikë tjetër për 55 milionë euro menjëherë pasi e lanë të lirë Lionel Messin…, – nënvizoi holandezi duke iu referuar nënshkrimit të Ferran. – Pastaj ju pyesni veten nëse nuk po ndodhte diçka tjetër. Pse u desh të largohej Messi?”

Koeman tregoi hapur zhgënjimin me Laportën: “Unë nuk kam qenë trajner i Laportës. Këtë ndjesi e kam pasur që në momentin e parë, pas zgjedhjeve nuk ka pasur asnjë kimi mes nesh. Mungonte ajo mbështetje e nevojshme nga lart”.

Holandezi siguron se koha e tij te Barça nuk ishte asnjëherë çështje parash: “Gjëja e rëndësishme nuk ishin paratë për mua. Doja shumë të kisha sukses si trajner në Barcelonë, të bëja gjithçka që mundesha, por kuptova se Laporta donte të më hiqte qafe, sepse nuk isha emëruar nga ai”.

Koeman zbuloi një prapaskenë: “Më kishte thënë një mijë herë se Xavi nuk do të ishte trajneri i tij, sepse i mungonte përvoja. Por, Joan kishte nevojë për një mburojë, dikë që të fshihej pas tij”.

Koeman, i cili këtë muaj mbush 59 vjeç, tani e shijon më shumë jetën dhe nuk e përjashton mundësinë e një klubi të ri: “Kam rënë dakord me Rob Jansen se do të shohim mundësitë këtë verë, nëse ka diçka interesante, diçka të këndshme”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat