Motta: Manaj i rëndësishëm për Spezian

Futboll

Motta: Manaj i rëndësishëm për Spezian

Më: 13 mars 2022 Në ora: 12:05
Motta: Manaj i rëndësishëm për Spezian

Rey Manaj realizoi të shtunën një gol shumë të bukur me Spezian.

Bardhezinjtë fituan 2-0 përballë Cagliarit, me sulmuesin e kombëtares shqiptare që realizoi golin e qetësisë çerek ore përpara fundit të ndeshjes.

Katër gola numëron 25-vjeçari lushnjar këtë sezon në Serie A, ndërkohë që Spezia siguroi tre pikë jetike për objektivin mbijetesë kundër një rivali direkt.

“Ishte një ndeshje që mezi e prisnim. Vinim pas katër humbjesh dhe ishte e nevojshme të riktheheshim te fitorja. Ishte një ndeshje që vlente 9 pikë. Skuadra luajti mirë, unë shënova, kështu që le t’i shijojmë këto tre pikë.

Ky grup nuk e ka humbur asnjëherë besimin, ne të gjithë duam të realizojmë objektivin për të qëndruar në Serie A. Duhet t’u jemi mirënjohës tifozëve, ata na mbështetën edhe pas katër humbjeve. Do të japim gjithmonë 100% për ta”, deklaroi Manaj, i cili gjeti rrugën e rrjetës vetëm 6 minuta pasi u fut në fushë si zëvendësues, duke marrë edhe vlerësimin e trajnerit Thiago Motta.

“Zgjodha Gyassin titullar për të tentuar më shumë thellësinë, ndërsa Manaj është më tepër një sulmues pozicional. Rey u fut shumë mirë në fushë dhe bëri një punë të shkëlqyer, njësoj si gjithë lojtarët e tjerë. Rey është shumë i rëndësishëm për grupin dhe ekipin. Ai nuk e nisi titullar për shkak të një zgjedhjeje taktike, por kontributi i tij është gjithmonë i madh.

Që kur ka ardhur ai ka pasur një moment të vështirë sepse ka luajtur pak, pastaj e ka merituar atë që ka bërë dhe ka merituar respektin e bashkëlojtarëve”, deklaroi trajneri i Spezias.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat