Kosova e mposhti edhe Kazakistanin! Munishi: Tani na pret ndeshja e vështirë me Skocinë

Futboll

Kosova e mposhti edhe Kazakistanin! Munishi: Tani na pret ndeshja e vështirë me Skocinë

Më: 8 prill 2022 Në ora: 23:14
Kosova e mposhti edhe Kazakistanin! Munishi: Tani na pret ndeshja e vështirë me Skocinë

Kombëtarja e Kosovës U19 në konkurrencën e vajzave ka shënuar fitore edhe në ndeshjen e dytë në kuadër të raundit të dytë të kualifikimeve për Evropianin e këtij viti. Pas fitores ndaj Estonisë, Dardanet e reja, të premten në mbrëmje, në Edinburgh, kanë shënuar fitore kundër Kazakistanit, me rezultat 2:1, në kuadër të Grupit 4 në Ligën B.

Vashat tona e dominuan ndeshjen dhe krijuan shumë raste shënimi, por nuk u treguan aq efikase para portës kazake.

Alketa Rama e kaloi Kosovën në epërsi në minutën e 15-të, derisa gjashtë minuta para përfundimit të pjesës së parë kazaket i barazuan shifrat me golin e Nursulu Blazhan.

Megjithatë, në pjesën e dytë të përzgjedhurat e Kushtrim Munishit arritën që pas shumë rasteve të realizojnë golin e fitores nëpërmjet Fortesa Berishës, në minutën e 66-të. Dy fitore i ka edhe Skocia, që është kundërshtarja e radhës e Dardaneve, me të cilën do të ballafaqohen të hënën, më 11 prill. Ekipi që e fiton Grupin 4 të Ligës B e siguron promovimin në Ligën A për shortin e ardhshëm të ciklit kualifikues. E kualifikimi në Evropian mund të arrihet vetëm përmes Ligës A.

Përzgjedhësi Kushtrim Munishi pas fitores së dytë u shpreh i lumtur me paraqitjen e vajzave, megjithëse vuri në pah shpërdorimin e shumë rasteve.

“Kemi bërë lojë shumë të mirë për çka i përgëzoi futbollistet për angazhimin dhe disiplinën taktike.

Megjithatë, është mëkat që nuk i kemi shfrytëzuar rastet, pasi në bazë të lojës fitorja është dashur të jetë shumë më bindëse. Kam qenë i bindur se dy ndeshjet e para do t’i fitojmë, ngase kemi punuar shumë për këtë gjë. T

ani na pret ndeshja e vështirë me Skocinë, e cila do të jetë përcaktuese nëse do të arrijmë të promovohemi në Ligën A për edicionin e ardhshëm. Sigurisht se Skocia është favorite, por ne nuk i frikësohemi as këtij kundërshtari dhe pres që me lojë të disiplinuar dhe me motiv maksimal të arrijmë të marrim rezultatin që dëshirojmë”, ka theksuar Munishi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat