Shqipëria U-16 do të luajë më 14 prill ndeshjen e fundit

Futboll

Shqipëria U-16 do të luajë më 14 prill ndeshjen e fundit

Më: 12 prill 2022 Në ora: 11:57
Shqipëria U-16 do të luajë më 14 prill ndeshjen e fundit

Kombëtarja shqiptare U-16 ka bërë paraqitje shumë të mira në dy ndeshjet e para të turneut UEFA Development U-16 që ka nisur më datën 9 prill në Tiranë dhe luhet në Qendrën Sportive Kombëtare në Kamëz. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku mori një fitore 2-1 në sfidën e parë ndaj Irlandës së Veriut dhe bëri një paraqitje të shkëlqyer në sfidën e dytë ndaj Perusë, ku fitoi me rezultatin 3-0.

Protagonist absolut i këtyre dy sfidave ishte sulmuesi Flavio Sulejmani, i cili realizoi golin e fitore ndaj Irlandës së Veriut dhe shënoi një dygolësh ndaj Perusë duke qenë vendimtar për Kombëtaren shqiptare. Në prononcimin e tij për Fshf.org, Sulejmani shprehet i lumtur për rezultatet e dy sfidave të para si edhe për paraqitjen e tij mjaft të mirë. Bomberi kuqezi thekson se objektivi i radhës është fitorja e ndeshjes së tretë të këtij turneu ndaj Luksemburgut.

“Jam shumë i lumtur për paraqitjen që ka bërë skuadra në këto dy ndeshje të parë të turneut.

Me dy fitore mund të themi se e kemi fituar turneun dhe kjo mendoj se ishte gjëja më e rëndësishme për ne, pasi luanim edhe në shtëpinë tonë. Sigurisht jam shumë i lumtur për golat që kam shënuar, por më shumë jam i kënaqur për skuadrën dhe për fitoret që arritën të merrnim ndaj Irlandës së Veriut dhe Perusë.

Tani kemi edhe ndeshjen e fundit ndaj Luksemburgut dhe do të përgatitemi maksimalisht për të marrë një fitore edhe në sfidën e tretë. Kemi një grup shumë të mirë lojtarësh dhe mendoj se kjo skuadër ka një të ardhme shumë të mirë përpara. Në aspektin personal shpresoj të vazhdoj të jem pjesë e ekipeve Kombëtare të moshave dhe uroj që në të ardhmen të arrij të luaj me Kombëtaren A”, – shprehet Flavio Sulejmani.

Edhe mesfushori Klaus Kashari, i cili gjithashtu u paraqit mirë në të dyja ndeshjet e para duke luajtur si titullar, nuk e fsheh kënaqësinë për këto rezultate dhe beson se duke punuar dhe duke dhënë maksimumin ky grup mund të shkojë larg falë elementëve të talentuar që ka.

“Ishte një ndeshje vërtetë pozitive kjo ndaj Perusë dhe jam shumë i lumtur që arritëm të fitonim me rezultatin 3-0. Jemi shumë të kënaqur, jo vetëm unë, por të gjithë djemtë. Unë dua t’i falënderoj pasi të gjithë dhanë maksimumin në fushë dhe puna e madhe që kemi bërë gjatë këtyre ditëve tregoi se ia ka vlejtur dhe u shpërblye me këto rezultate. Shpresoj shumë që të fitojmë edhe ndeshjen e tretë të turneut ndaj Luksemburgut.

Jam i bindur se duhet që të punojmë që të gjithë edhe më shumë në mënyrë që një ditë të arrijmë të luajmë me Kombëtaren A.

Të gjitha shanset i kemi për të bërë edhe më shumë kështu që duhet ta shfrytëzojmë çdo mundësi me ekipet kombëtare për të treguar vlerat. U mundova të jap maksimumin dhe të ndihmoj ekipin, jam i lumtur për rezultatet pozitive”, – u shpreh Kashari për Fshf.org.

Shqipëria U-16 do të luajë më 14 prill ndeshjen e fundit të turneut ndaj Luksemburgut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat