Laporta çudit

Futboll

Laporta çudit

Më: 20 prill 2022 Në ora: 13:25
Laporta çudit

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka dalë në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp pas skandalit me shitjen e një numri shumë të madh të biletave për tifozët e Frankfurtit.

Që para takimit ndaj Cadizit numri një i klubit kishte paralajmëruar një konferencë për mediat, për të dhënë shpjegime për atë çfarë ndodhi. Kujtojmë se nga 5 mijë tifozë të Frankfurtit që duhej të ishin në “Camp Nou”, në fakt kanë qenë gjashtëfishi i tyre. Kjo gjë shkaktoi mjaft polemika në Barcelonë.

Tifozët ultras të Barcelonës bojkotuan takimin ndaj Kadizit, ndërkohë që edhe trajneri Ksavi deklaroi se pret një shpjegim nga klubi në lidhje me këtë problem. Përgjigjja e Laportës ka ardhur dje në mesditë, me numrin një të klubit që ka pranuar përgjegjësinë për çfarë ndodhi, por pa folur për fajtorë.

“E kam thënë që në ditën e ndeshjes se ai ishte një turp, të shihje stadiumin tonë të mbushur nga tifozët e Frankfurtit. Nuk dua të heq asnjë barrë a përgjegjësi.

Mund të them se klubi nuk ka qenë fajtor për atë çfarë ndodhi, por natyrisht që merr përsipër përgjegjësitë e veta. Edhe një herë dua të falënderoj tifozët që kanë qenë të pranishëm në stadium dhe u kërkoj ndjesë për atë çfarë ndodhi.

U krijua një situatë e pazakontë dhe tifozët tanë u ndien jo komodë me falangën gjermane në stadium”, ka thënë Laporta. Përtej shpjegimeve të mësipërme, presidenti i Barcelonës është ndalur më pas tek aspekti sportiv. Humbja ndaj Kadizit ka qenë një goditje e fortë për shpresat e vakëta të Barçës për titullin.

Por Laporta duket se është “çmendur”, teksa ka deklaruar se klubi që ai drejton do të bëjë gjithçka për ta fituar La Ligën! “Kjo java e shenjtë ka qenë mjaft negative për ne, më ngjan me ‘Pasionin e Krishtit’. Situata për titullin është më e ndërlikuar se para takimit ndaj Kadizit.

Por përderisa ka jetë, ka edhe shpresë. Matematikisht gjithçka është e mundur, por ne duhet të fitojmë të shtata finalet e mbetura. Nuk mund të tërheqim këmbën tani, por natyrisht që duhet të mendojmë shumë edhe për Ligën e Kampioneve. Por për të arritur objektivin tonë ne kemi nevojë dhe për ndihmën e tifozëve tanë.

Ata janë një mbështetje e madhe për skuadrën në fushë, ndaj tani na nevojiten më shumë se kurrë”, ka thënë presidenti i Barcelonës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat