Lampard flet për derbin ndaj Liverpoolit, tregon se mungojnë gjashtë lojtarë te Evertoni

Futboll

Lampard flet për derbin ndaj Liverpoolit, tregon se mungojnë gjashtë lojtarë te Evertoni

Më: 22 prill 2022 Në ora: 17:34
Frank Lampard

Trajneri anglez Frank Lampard ka treguar që gjashtë lojtarë do të mungojnë në udhëtimin e Evertonit drejt Liverpooolit, ndërsa është i vëmendshëm për realitetin që e pret në “Anfield Road”.

Derbi i Merseyside është derbi i radhës për Liverpoolin, ku skuadra e Jurgen Klopp rikthehet nga fitoret e njëpasnjëshme ndaj Manchester Cityt dhe Manchester United.

Liverpool është në një seri prej vetëm një humbje në 25 ndeshjet e fundit, duke përfshirë këtu plot 20 fitore, ndërsa humbja e tyre e vetme erdhi në ndeshjen e kthimit të Ligës së Kampionëve kundër Interit, por pavarësisht kësaj humbjeje “Të Kuqtë” vazhduan në çerekfinale, ku edhe e eliminuan Benfican.

Ndërkaq, Evertoni për dallim nga rivali i qytetit të tij nuk është duke kaluar nëpër një sezon të mirë, ku nuk ka fituar dy ndeshje radhazi që nga shtatori i vitit të kaluar, dhe e gjen vetën afër zonës së rrezikut në tabelë.

Për ndeshjen e së dielës, trajneri i Evertonit Frank Lampard tregoi pritshmëritë e tij kundër Liverpoolit, ndërsa tha se do të jetë pa lojtarët si Calvert-Lewin, Van de Beek, Gomes, Davies, Townsend dhe Patterson.

Po ashtu, Lampard e cilësoi Liverpoolin si njërën nga skuadrat më të forta në botë.

“Realiteti është që ne do të përballemi me njërën nga skuadrat më të forta në botë në bazë të formës momentale. Është një ndeshje e vështirë në çfarëdo aspekti që e shikoni, por ne do të përgatitemi siç bëjmë gjithmonë, me idenë se si ne dëshirojmë të luajmë”, tha Lampard.

Momentalisht, pas 31 ndeshjeve të zhvilluara, Evertoni ka regjistruar vetëm tetë fitore, pesë barazime dhe plot 18 humbje, kështu duke u pozicionuar në vendin e 17 në tabelë me 29 pikë të arkëtuara, një pikë më shumë se zona e rrezikut, respektivisht vendi i 18 që okupohet nga Burnley.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat