Nainggolan: Kam paguar për gabimet e mia

Futboll

Nainggolan: Kam paguar për gabimet e mia

Më: 26 prill 2022 Në ora: 12:31
Nainggolan: Kam paguar për gabimet e mia

Pas më shumë se 15 vite karrierë në Itali, Radja Nainggolan është rikthyer në vendlindjen e tij, Belgjikë, ku aktivizohet në radhët e skuadrës së Antwerp. Gjurmët e “Ninxhas” në elitën e futbollit janë ende shumë të freskëta, ndërsa historitë e tij brenda dhe jashtë fushe nuk kanë të mbaruar. Megjithatë, si një nga lojtarët më të kritikuar për jetën e tij personale jashtë futbollit, Nainggolan thekson në një intervistë të fundit se ka paguar për gabimet e tij ndërsa shton se Roma është skuadra me të cilën ka shkëlqyer më së shumti në karrierën e tij. 34-vjeçari shprehet se e ka paralajmëruar bashkëkombasin e tij Romelu Lukaku të mos rikthehej te Chelsea, pasi te Inter kishte një skuadër të ndërtuar për të dhe aty mund të ishte një nga më të mirët në rolin e tij.

Kritikat- “Po, ka disa të vërteta aty, por unë në karrierën time nuk kam humbur asnjë stërvitje, pastaj sa i përket videove që kanë qarkuluar ato janë thjesht disa budallëqe. Ndoshta, kam gabuar në një video banale të postuar për Vitin e Ri, por unë isha në shtëpinë time. Nëse jam në shtëpi nuk është në rregull, nëse jam në diskotekë sërish nuk është në rregull, atëherë i bie që unë të mos bëj asgjë. Kam gabuar në disa deklarata, mirëpo unë kam paguar për gabimet e mia dhe tani shoh përpara.

Roma ka qenë shkëlqimi më i madh në karrierën time, aty kam ndjerë emocionet më të forta. Edhe në aspektin njerëzor ishte e vështirë të largohesha sepse kisha shumë miq dhe isha i lidhur me qytetin. Por, në jetë bëhen disa zgjedhje edhe pse më pas dalin të gabuara. Te Inter filloi mirë, por përfundoi keq. Megjithatë, unë nuk jam dikush që ka frikë të flasë dhe nëse diçka nuk shkonte unë do ta thoja me zë të lartë. Unë nuk kam pasur asnjë problem me Conten, punova që të kisha hapësirën time në skuadër, por ai bëri zgjedhje të tjera dhe unë e respektoj. Është e lehtë të thuash se nuk luan sepse trajneri nuk është i zoti. Por për mua Conte është një trajner shumë i mirë dhe jo më kot riktheu titullin te Interi.

Lukaku? Unë ia kam thënë gjithnjë se te Inter ishte sulmuesi më i fortë në botë. Ishte një sistem loje, një skuadër dhe një trajner që punonte për të marrë më të mirën nga ai.

Por, ëndrra e tij ishte Chelsea. Është hera e tretë që kthehet atje dhe përfundon po njësoj. Unë mendoj se nëse do të qëndronte te Inter atëherë mund të ishte sulmuesi më i mirë edhe për katër apo pesë vite. Vazhdoj t’ia them këtë sepse është ajo që unë vërtet mendoj”.

Antwerp dhe Belgjika- “Duke ditur se në rrugë ka shumë djem të talentuar dhe më shohin me admirim, ajo që mund të bëj është t’i ndihmoj të zgjedhin rrugën e duhur”, u shpreh Nainggolan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat