Jaupaj: Do angazhohen 400 vullnetarë, ja çfarë detyrash do të kenë

Futboll

Jaupaj: Do angazhohen 400 vullnetarë, ja çfarë detyrash do të kenë

Më: 29 prill 2022 Në ora: 16:00
Jaupaj: Do angazhohen 400 vullnetarë, ja çfarë detyrash do të kenë

Data 25 maj e këtij viti përfaqëson një ngjarje shumë të rëndësishme për Tiranën e Shqipërinë, që do të presë eventin më të madh sportiv që është zhvilluar ndonjëherë në vendin tonë, finalen e UEFA Europa Conference League.

Për këtë aktivitet Federata Shqiptare e Futbollit ka siguruar pjesëmarrjen e 400 vullnetarëve, të cilët do të ndihmojnë në mbarëvajtjen e kësaj ngjarje të madhe sportive. Për sa i përket kësaj kulture, Edlira Jaupaj, drejtore e Burimeve Njerëzore në FSHF dhe njëkohësisht përgjegjëse e Programit të Vullnetarëve në një intervistë për Ora News tregon më shumë rreth kësaj risie në vendin tonë.

“Do të jenë rreth 400 vullnetarë që do të marrin pjesë në këtë event. Ishte shumë e vështirë, pasi është një kulturë që ne nuk e kemi. Ne kemi bashkëpunuar me UEFA-n, ku kemi krijuar një platformë për të gjitha aplikimet. Ka qenë shumë e vështirë sepse kemi bërë një fushatë bindëse shumë të madhe ku krahas kanaleve tona zyrtare, kemi zhvilluar takime në universitete, ku kemi bërë shumë takime dhe kemi pasur mbështetjen e këtyre institucioneve dhe pedagogëve”.

Më tej, Jaupaj shpjegon se këta vullnetarë do të jenë të angazhuar në 32 disiplina të ndryshme përgjatë finales teksa flet edhe për përfitimet e tyre pas finales.

“Do të mbulojnë 32 pozicionet që ne kemi menduar. Do të jenë të përfshirë në shumë fusha, si aeroporti, media, akreditimi, transporti, security etj., që do të mbulohet nga vullnetarët. Përfitimi kryesor është certifikata që ata do të marrin të firmosur nga Presidenti Ceferin dhe Presidenti Duka, shumë e vlefshme për CV-në e tyre.

Gjithashtu, kemi menduar që ata të jenë pjesë e Fan Club-it, do të kenë bashkëpunim me Departamentin e Burimeve Njerëzore, për të bërë internship-e e për t’u shikuar me prioritet për punësim në të ardhmen".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat