Brdariç “thumbon” ndryshe drejtuesit e Vllaznisë

Futboll

Brdariç “thumbon” ndryshe drejtuesit e Vllaznisë

Më: 4 maj 2022 Në ora: 11:39
Brdariç “thumbon” ndryshe drejtuesit e Vllaznisë

Brdariç e ka bërë Vllazninë të jetë një temë diskutimi në Gjermani. Për shkakun e karrierës së jashtëzakonshme si lojtar, Thomas ka pasur gjithmonë interesin e mediave gjermane sa i përket aventurës në Shqipëri. Në shumë raste gjermani e ka tejkaluar limitin me deklaratat e tij dhe në fund pas ndarjes, ka thumbuar drejtuesit e klubit.

Së fundmi në një intervistë për “Transfermarkt.de”, Brdariç ka zgjedhur një mënyrë të re për të dalë kundër drejtuesve të Vllaznisë, pa u shfaqur vetë në skenë. Pasi i ka dhënë gazetarëve të gjithë panoramën në këndvështrimin e tij për të dalë tërësisht “i larë” nga arsyeja e shkarkimit dhe për të rritur imazhin në vendin e tij, në fund…”nuk flet” pasi nuk ka lënë gjë pa folur!

“Trajneri dhe profesionisti Brdariç ishte shumë i mërzitur që nuk mundi të vazhdonte kontratën te Vllaznia, por nuk dëshironte të hynte në detaje në bisedën tonë duke marrë parasysh situatën që nuk është sqaruar ende”, ishte raportimi në artikull që i bashkangjiten pak fjalë nga ana e trajnerit:

“Sigurisht që do të doja të mbroja Kupën që fitova me Vllazninë në sezonin e kaluar. Po i ndjek ende ndeshjet dhe rezultatet e djemve”, thotë Brdariç. Deri këtu është gjithçka në rregull, por raportimi i medias për situatën e Vllaznisë dhe fjalët e tyre në artikull nga gazetari duket sikur janë të shkruara dhe thëna nga ish-trajneri i ekipit shkodran, që “zgjedh të mos hyjë në detaje”.

“Brdariç riktheu në jetë një klub tradicional dhe të gjithë në Shkodër janë mirënjohës ndaj gjermanit. Shkarkimi i tij ishte befasues për tifozët e klubit. Nëpër gazeta dhe media shkruhej se ndarja erdhi nga “kriza e rezultateve”, por nëse shikon statistikat te Vllaznia, të paktën duhej të ishte dyshuese situata: “Skuadra e Brdariç kishte njohur vetëm 2 humbje nga 22 ndeshjet që nga fillimi i nëntorit 2021, ndërsa regjistroi 11 fitore dhe 9 barazime”. Sipas raportimeve të mediave, pengesat financiare nga ana e klubit janë origjina e veprimit dritëshkurtër të drejtuesve. Që nga ikja e Brdaric, Vllaznia ka vetëm një fitore në gjashtë ndeshjet e kampionatit”, shkruhet në artikullin e “Transfermarkt.de” nga ana e gazetarit që ofron panoramën për lexuesit.

Pra nga fjalët e artikullit duket qartazi se gjermani “flet”, por fshihet pa dalë vetë në skenë. Në këto statistika të përmendura nga “Transfermarkt.de” që ka ndjekur me kaq vëmendje të madhe situatën e Vllaznisë në Shqipëri, nuk raportohet se në këto ndeshje pa Brdariç dhe me Plorin në krye, po aq e vërtetë sa 1 fitore e marrë në 6 ndeshjet e kampionatit, është e vërtetë edhe fakti se Vllaznia arriti në finalen e Kupës së Shqipërisë, jo me më pak rëndësi për t’u theksuar. Por në këtë artikull një gjë e tillë nuk përmendet, si për të vërtetuar sponsorizimin që i vjen gjermanit. Pa harruar edhe pjesën se asnjë prej mediave nuk e ka raportuar deri tani pengesën financiare si arsyen kryesore të largimit të Brdariç nga Vllaznia, veçse hipotezës që tha dhe ngriti vetë trajneri në Gjermani. Sigurisht që raportimi i mediave dhe fjalët e vetë trajnerit janë dy gjëra të ndryshme.

Megjithatë karriera e tij si trajner pas Vllaznisë nuk do të shkëlqejë në Gjermani, të paktën jo menjëherë. Misioni i Thomas është që të stërvisë një klub në vendin e tij dhe duke ditur interesimet dhe ofertat e mundshme, i ka ulur pretendimet. “Fillimisht dua të them se nëse vini në një stërvitje timen, do të shihni se më tepër i rraskapitur jam unë se lojtarët. (qesh) Jam gati të marrë edhe një klub ambicioz që dëshiron të ngjitet në Kategorinë e Tretë të Gjermanisë dhe ka infrastrukturë të mirë që unë mund të jap përvojën time”, përmbyll Brdariç.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat