Reali e ka me ngut për Vinicius

Futboll

Reali e ka me ngut për Vinicius

Më: 15 qershor 2022 Në ora: 18:04
Reali e ka me ngut për Vinicius

Real Madrid kërkon që të mbyllë sa më parë çdo lloj diskutimi sa i përket të ardhmes së Vinicius Zhunior.

Sulmuesi 21-vjeçar brazilian tashmë është një emër i afirmuar dhe i padiskutueshëm në radhët e skuadrës së Ançelotit dhe madrilenët duan të mbyllin sa më parë çdo lloj akordi për rinovimin e kontratës së tij që mbaron në vitin 2024.

Klubi dhe lojtari janë dakord thuajse në çdo pikë, me përjashtim të asaj të kohëzgjatjes së marrëveshjes. Reali dëshiron që rinovimi të jetë deri në vitin 2028, por vetë futbollisti do të preferonte fundin e marrëveshjes maksimumi në vitin 2027.

Rroga e tij sigurisht që do të përmirësohej nga 3,2 milionë euro që përfiton aktualisht, me rritje pas çdo sezoni dhe në varësi të objektivave që sigurohen nga ai dhe klubi, për të arritur deri në 10 milionë euro, ndër më të paguarit te “los blancos”.

Ndërkohë, Reali do t’i vendosë atë që cilësohet tashmë si klauzola kundër klubeve-shtet si PSG apo Mançester Siti. Në kontratën aktuale parashikohej që Vinicius mund të largohej kundrejt pagesës së 350 milionë eurove por kjo shifër tashmë do të shkojë në 1 miliard euro. Pritet që akordi të mbyllet në ditët në vijim dhe të zyrtarizohet para mediave kur lojtari të kthehet nga pushimet në korrik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat