Vllaznia gjen pasuesin e Adilit

Futboll

Vllaznia gjen pasuesin e Adilit

Më: 24 qershor 2022 Në ora: 12:07
Vllaznia gjen pasuesin e Adilit

Vllaznia vijon përgatitjet për turin e dytë kualifikues të Conference League, teksa trajneri Mirel Josa është në pritje të përforcimeve të tjera, të cilat i ka premtuar edhe presidenti Alban Xhaferi.

Qendra e mbrojtjes është reparti ku shkodranët kanë humbur dy titullarë të sezonit të kaluar, si Adili dhe Diagne, dhe kanë marrë vetëm Dajan Shehin, ndaj klubi po punon prej ditësh për të sjellë një tjetër futbollist.

Së fundi mësohet se është arritur marrëveshja paraprake me mbrojtësin kroat Marko Juriç, i cili pritet të mbërrijë sot në Shkodër për të firmosur kontratën dhe nisur përgatitjet nën urdhrat e Josës.

Juriç është 27 vjeç, numëron eksperienca të shumta kryesisht në futbollin kroat, ku ka veshur edhe fanellën e Lokomotivës së Zagrebit, ndërsa prej dy sezonesh është pjesë e boshnjakëve të Siroki Brijeg.

Mbrojtësi kroat është përballur dy herë me Vllazninë si kundërshtar sezonin e kaluar, kur kuqeblutë eliminuan Shirokin në turin e parë eliminator të Conference League.

Ndërkohë, është caktuar edhe orari i ndeshjes së parë të Vllaznisë ndaj Universitateas, që do të startojë pikërisht më 21:00 të datës 21 korrik, pikërisht në stadiumin “Loro Boriçi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat