Profesorët e UEFA CFM: Organizimi i FSHF tejkaloi pritshmëritë tona! Programi, çelësi për të ardhmen e futbollit!

Futboll

Profesorët e UEFA CFM: Organizimi i FSHF tejkaloi pritshmëritë tona! Programi, çelësi për të ardhmen e futbollit!

Më: 24 qershor 2022 Në ora: 12:50
Profesorët e UEFA CFM: Organizimi i FSHF tejkaloi pritshmëritë tona! Programi, çelësi për të ardhmen e futbollit!

Programi i UEFA CFM (Certificate in Football Management), që po zhvillohet për herë të parë në Shqipëri nën organizimin e Akademisë së UEFA-s, Universitetit të Lozanës dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, po i afrohet fundit me seminaret finale që po zhvillohen këto dy ditë në Tiranë.

Ky edicion i këtij programi kaq të rëndësishëm të UEFA-s u zhvillua këtë herë në Shqipëri, një aktivitet tjetër madhor që i besohet Federatës Shqiptare të Futbollit pas eventeve të tjera, si finalja e UEFA Conference League apo turneve zhvillimore për moshat. Në një prononcim për fshf.org, dy nga profesorët e këtij programi tregojnë për eksperiencën e tyre në Shqipëri dhe për rëndësinë që ka ky program, që kësaj here ka një numër të lartë studentësh shqiptarë, pjesë të FSHF-së dhe klubeve shqiptare, por edhe nga vende të ndryshme të botës.

Mickael Terrien, asistent profesor në Universitetin e Lozanës shpreh kënaqësinë e tij që është në Tiranë për seminaret finale, teksa thekson se programi i CFM është një mënyrë mjaft e mirë për t’i ofruar mjete menaxhimi me qëllim profesionalizimin e organizatave sportive.

“Është vërtetë kënaqësi që jam këtu, në këtë ndërtesë mbresëlënëse, si një vepër arti. Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë më shumë se sa prisnim. Profesionalizmi në organizatat sportive dhe kryesisht në organizatat jofitimprurëse sportive është shumë i rëndësishëm dhe ky lloj programi është një mënyrë për t’i dhënë dhe për t’i ofruar mjete menaxhimi me qëllim për të përmirësuar profesionalizmin e këtyre organizatave sportive dhe futbollistike. Dhe për mua programi i CFM është mënyra më e mirë për të promovuar këto lloj mjetesh menaxheriale”.  

Terrien shprehet se ky program është i rëndësishëm edhe për përmirësimin e proceseve të Burimeve Njerëzore. “Është shumë e rëndësishme për të përmirësuar procesin e Burimeve Njerëzore, procesin e menaxhimit në organizatat sportive dhe akoma më e rëndësishme në organizatat jo fitimprurëse. Nuk flas vetëm për FSHF-në, por për çdo federatë anëtare është shumë e rëndësishme që të përmirësojnë nivelin e stafeve të tyre, njohuritë dhe aftësitë e tyre. Sipas meje është çelësi për të ardhmen e federatave të tyre dhe futbollit” – thotë profesori i Universitetit të Lozanës në Zvicër.

Ndërsa të njëjtin vlerësim për programin ka edhe Alain Ferrand, profesori i këtij programi si edhe profesor në Francë, i cili shprehet se seminaret i kanë tejkaluar parashikimet e tij. Ferrand shpjegon mënyrën se si është krijuar ky program si dhe qëllimin e tij që është rritja e ekspertizës menaxheriale.

“Kam pasur disa eksperienca të mëparshme në Shqipëri, jo për futbollin, por edhe për lëvizjet olimpike, por sinqerisht, ky seminar i tejkaloi parashikimet e mia, duke parë edhe këtë sallë ku dhamë mësim sot është fantastike. Çfarë prisnim, bashkëpunimi dhe angazhimi i njerëzve që është i mrekullueshëm dhe të jep ndjesinë që ky seminar është i rëndësishëm për Federatën Shqiptare dhe vetë njerëzit. Kështu që sinqerisht, më mirë sesa kaq, do të jetë e vështirë të arrihet.

Në terma të përgjithshëm, edukimi është çelësi. Ky program nuk është krijuar në universitete, por është një program i përbashkët mes ekspertizës së UEFA-s dhe federatave anëtare dhe klubeve. Dhe kjo ekspertizë është një kornizë e qartë në kuadërt të sesionit dhe programit që sjellin disa kompetenca operacionale. Kjo është arsyeja pse edukimi është i rëndësishëm, por ky program është shumë i veçantë. Nuk është vetëm një, është pjesë e filozofisë së Akademisë së UEFA-s, për të hartuar programe dhe përmbajtje specifike, me qëllim rritjen e ekspetizës menaxheriale.

Siç e dimë, organizatat bazohen te Burimet Njerëzore, ato janë çelësi i një organizate. Menaxhimi dhe organizimi po ecin përpara më shpejt sesa dje apo 20 vite më parë dhe tani duhet të jemi më fleksibël dhe duhet të përmirësojmë aftësitë përgjatë. Kjo është arsyeja se pse sipas meje, edukimi dhe ky program që është pjesë e Akademisë së UEFA-s është i rëndësishëm” – thotë Alain Ferrand në fjalën e tij për fshf.org.

Në përfundim të këtij seminari të fundit që shënjon dhe përfundimin e të gjithë programit akademik 9 mujor, do të zhvillohet edhe ceremonia e shpërndarjes së diplomave për pjesëmarrësit që do të arrijnë të mbyllin me sukses programin dhe të kalojnë të gjitha provimet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat