I dështoi transferimi në Club Brugge, Muriqi mund të përfundojë në këtë klub

Futboll

I dështoi transferimi në Club Brugge, Muriqi mund të përfundojë në këtë klub

Më: 11 korrik 2022 Në ora: 16:02
Vedat Muriqi

Vedat Muriqit i dështoi transferimi në Club Brugge së fundmi pasi, siç u tha, nuk arriti t’i kalonte vizitat mjekësore.

E tash, klubi i tij, Lazio po mendon ta sistemojë diku tjetër sulmuesin kosovar, ndërkohë që ka paralajmëruar ankesë në FIFA ndaj klubit belg. 

Muriqi është rikthyer në Itali ku po ushtron i vetëm, ndërsa sot ju nënshtrua vizitave mjekësore tek Lazio, të cilat i kaloi me sukses.

Ndërkohë, mediat italiane shkruajnë se Muriqi mund të përfundojë përsëri në Mallorca, nëse s’e merr Club Brugge.

Ish-futbollisti i Rizesporit dhe i Fenerbahçes e pati një eksperiencë pozitive në Spanjë, ku i realizoi 5 gola dhe i bëri 3 asistime në 16 ndeshje me klubin ishullor, të cilin e ndihmoi që të mos binte nga liga.

Sipas “La Lazio Siamo Noi”, Lazio mund ta shesë “Piratin” në klubin e La Ligas për 7-8 milionë euro pasi paraprakisht Mallorca ishte tërhequr nga blerja e kartonit të Muriqit, për të cilin Lazio deri tash i kërkonte së paku 10 milionë euro.

Ndërkohë, interesim për 28 vjeçarin ka shfaqur edhe gjiganti turk, Galatasaray, por edhe klubi nga Championshipi anglez, Hull City.

Një gjë është e sigurt: Muriqi nuk do të luajë më në Lazio, ku e pati një eksperiencë dëshpëruese për një vit e gjysmë, duke i shënuar vetëm 2 gola dhe duke i bërë 2 asistime.

Lazio e kishte blerë lojtarin kosovar në verën e vitit 2020 nga Fenerbahçe për afro 20 milionë euro, ndërsa ai ka kontratë me “Biancocelesti” deri në vitin 2025.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat