Strakosha: Përvoja dorezat e babait

Futboll

Strakosha: Përvoja dorezat e babait

Më: 16 korrik 2022 Në ora: 18:11
Strakosha: Përvoja dorezat e babait

Thomas Strakosha vendosi të vijojë karrierën në Angli, teksa nga sezoni i ardhshëm do të jetë pjesë e Brentford në Premier League. Portieri i kombëtares ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare me anglezët ndërsa ka dhënë edhe intervistën e parë si lojtar i Brentford. 27-vjeçari shprehet se shokët e rinj janë treguar shumë mikpritës ndërsa thekson se prej shumë viteve priste mundësinë për të luajtur në Premier League.

“Dita e parë në ekip ishte e mrekullueshme, e mbushur me energji pozitive.

Djemtë janë treguar fantastik prej fillimit dhe më kanë bërë të ndihem shumë mirë. Jam shumë i lumtur dhe njëkohësisht i emocionuar që do të luaj në Premier League, e kam pritur prej vitesh një mundësi të tillë. për mua është një ëndërr e bërë realitet. Jam pjesë e një klubi ambicioz, dua të jap më të mirën dhe shpresoj që skuadra të ketë një renditje më të mirë se në sezonin e fundit”.

Sa e vështirë është të kalosh nga Lazio ku qëndrove për shumë vite, te një eksperiencë e re? “Sigurisht është diçka sfiduese për mua, mora shumë eksperiencë atje dhe ju uroj më të mirën. Është një ndryshim i madh, por këtë e doja shumë të luaja në Premier League. Është liga më e mirë në Europë, jam shumë krenar. Nuk ka shumë lojtarë shqiptarë në Premier League dhe dua të tregoj se shqiptarët mund të luajnë dhe të bëjnë mirë në Premier League”.

Pse zgjodhe Shqipërinë para Greqisë? “Unë e dua Greqinë, kam lindur atje është një vend i mrekullueshëm.

Por, prindërit e mi janë shqiptarë dhe origjina ime është shqiptare. Unë ndihem shqiptar, babai im ka qenë kapiteni i kombëtares.

Unë e admiroj shumë për atë që ka bërë sidomos në të kaluarën që ka qenë një kohë e vështirë, jam krenar që luaj për Shqipërinë. Babai ka qenë arsyeja pse luaj futboll, kur ai sillte dorezat e portierit në shtëpi, unë i kontrollja dhe i provoja edhe pse më rrinin të mëdhaja. Nisi të më pëlqente”, u shpreh Strakosha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat