Bardhezinjtë ndahen me një titullar

Futboll

Bardhezinjtë ndahen me një titullar

Më: 31 korrik 2022 Në ora: 12:56
Laçi

Renato Malota është larguar nga Laçi. Mbrojtësi lezhian ishte pjesë e bardhezinjve në dy sezonet e fundit, duke qenë një nga pikat më të forta të ekipit kurbinas.

Në një postim në rrjetet sociale, 33-vjeçari thekson se kontrata i kishte përfunduar në maj, por në bazë të marrëveshjes me presidentin ai luajti edhe në Conference League.

Në ditët e ardhshëm do të lajmërojë rreth ekipit ku do transferohet, që me shumë mundësi do të jetë Egnatia. “Përshëndetje të gjithëve! Nga sot nuk jam më pjesë e Laçit, pasi marrëveshja ime ka qenë të luaja në Kupat e Europës, edhe pse kontrata ime kishte përfunduar që në fund të Majit.

Ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme si për mua dhe për Laçin, pasi si asnjëherë tjetër në dy vitet e fundit luftuam për titullin kampion dhe gjithashtu duke bërë histori e kaluar disa ture.

Jam munduar gjithmonë të jap më të mirën si brenda fushës dhe jashtë saj, çka mendoj se e kam realizuar këtë gjë. Dua të falënderoj shokët e ekipit, trajnerët që kam punuar aty dhe veçanërisht presidentin e ekipit për respektin dhe korrektësinë që ka treguar ndaj meje.

Në fund një falënderim dhe për tifozët laçianë që kanë treguar shumë herë që e duan ekipin me zemër. Në ditët në vijim do ju prezantoj me ekipin tim të ri. Me respekt, Renato Malota”, shkruan mbrojtësi i njohur shqiptar, i cili ka fituar një titull kampion me Dinamon (2010) dhe Kupë e Shqipërisë me Kukësin (2016).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat