Kombëtarja U-15 e vajzave nis grumbullimin e parë, trajneri Krepi fton 20 futbolliste të reja

Futboll

Kombëtarja U-15 e vajzave nis grumbullimin e parë, trajneri Krepi fton 20 futbolliste të reja

Më: 1 shtator 2022 Në ora: 16:38
Kombëtarja U-15

Kombëtarja U-15 e Shqipërisë e vajzave nisi këtë të enjte grumbullimin për herë të parë, në kuadër të pjesëmarrjes në turneun “UEFA Development” për këtë grupmoshë në Bosnje – Hercegovinë në datat 6-11 shtator.

Ekipi do të drejtohet në këtë turne nga trajneri Kreshnik Krepi dhe është grumbulluar në Shkodër, ku do të zhvillojë edhe  përgatitjet dhe seancat stërvitore, përpara nisjes për në Bosnje.

Në këtë grumbullim të parë dhe historik për Shqipërinë e vajzave të kësaj grupmoshe, trajneri Krepi ka ftuar 20 futbolliste të reja që do të veshin dhe do të përfaqësojnë për herë të parë Kombëtaren U-15 në një turne ndërkombëtar.

Stafi i ekipit U-15 zhvilloi përpara disa ditësh një seleksionim me futbolliste të datëlindjes 2008 që aktivizohen në kampionatin vendas U-16 për vajza, por edhe në kampionatet e shkollave 9-vjeçare në disa zona të Shqipërisë.

Siç është bërë e ditur edhe më herët, në këtë turne do të marrin pjesë edhe tre skuadra të tjera përveç Shqipërisë, Sllovenia, Luksemburgu dhe Bosnje-Hercegovina.

Ekipi kombëtar U-15 do të zhvillojë ndeshjen e parë ndaj Luksemburgut më 6 shtator në ora 16:00, ndërsa takimin e dytë do ta ketë kundër Sllovenisë më 8 shtator në ora 12:00.

Sfidat e fundit në grup do të luhen më 11 shtator, me vajzat kuqezi që do të përballen me skuadrën pritëse në ora 10:00.

Më poshtë edhe lista e plotë e 20 futbollisteve të grumbulluara nga trajneri Kreshnik Krepi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat