Lëvizja për ta dërguar në vend dinjitetin

Futboll

Lëvizja për ta dërguar në vend dinjitetin

Më: 11 shtator 2022 Në ora: 11:53
Lëvizja për ta dërguar në vend dinjitetin

Në një histori gjithmonë është e rëndësishme mënyra sesi ajo nis dhe sesi përfundon. Skënder Gega do të shkonte te Kukësi teksa verilindorët kishin duruar dhe duruar për muaj me radhë justifikimet e trajnerit Longo, ndërsa ishin ulur para televizorit për të pritur kombinimin Laçi-Vllaznia që të hynin në Europë.

Ndërsa fundi, Skënder Gega zgjodhi që të dorëhiqej nga posti i trajnerit të Kukësit. Një çudi e madhe e gjitha kjo që ndodhi dhe pse shumëkush mund të tregojë pozitën e verilindorëve në tabelë, por duhet të kujtojmë që jemi vetëm në javën e katërt të kampionatit.

Pas tre ndeshjeve të para, Safet Gjici zgjodhi që të shkundte nga themelet Skënder Gegën më shumë sesa vetë lojtarët. Sigurisht që presidenti i nderit të Kukësit ka gjithmonë të drejtë në kritikat dhe mendimet që mbart, për sa kohë “krijesa” është e tij. Më herët Kukësi erdhi nga hiçi për të thënë fjalën në elitën e futbollit shqiptar.

Paratë e investuara në gjithë këto vite janë një tjetër arsye se përse Gjici ka të drejtën legjitime për të thënë pakënaqësitë e tij. Por momenti kur është ngritur dyshimi për mënyrën e stërvitjes së Skënder Gegës, e quajtur si e mbetur prapa në kohë, atëherë limiti është kaluar. Për më tepër e thënë kjo pas vetëm tre javë kampionatit, merr tone edhe më të pakuptueshme.

E parë në këtë prizëm, e vetmja rrugë sesi mund të mbyllej kjo histori ishte ndarja përfundimtare. Gega e kishte të qartë se presioni do të ishte e lartë dhe nuk kishte më vend për atë durim që kërkoi pas humbjes me Kastriotin.

Nëse situata nisi të dilte nga duart kaq shpejtë, atëherë gjërat mund të merrnin për keq me kalimin e javëve. Më shumë sesa të fitosh një ndeshje, një fazë apo vetë titullin kampion, ndonjëherë është më e rëndësishme që gjithmonë të kesh të fituar dinjitetin. Skënder Gega doli me kokën lart edhe pas Kukësit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat