Mavraj: Mundësi e shkëlqyer që ofron FSHF për profesionistët e futbollit  

Futboll

Mavraj: Mundësi e shkëlqyer që ofron FSHF për profesionistët e futbollit  

Më: 14 shtator 2022 Në ora: 17:29
Mavraj

Ka startuar kursi i ri për Drejtor Sportiv që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit nën udhëheqjen e specialistëve të Departamentit të Edukimit.

Kursi do të zgjasë për rreth një muaj dhe do të përmbyllet më datën 7 tetor 2022, teksa pjesëmarrësit do të marrin njohuri në të gjitha fushat që duhet të mbulojë ky rol në një klub futbolli.

Në ditën e parë është diskutuar për procesin e licencimit të futbollistit e më pas do të vijohet me teknikat e bilancit administrativ, organizimi i stadiumeve, licencimi i klubeve, administrimi i burimeve njerëzore, principet e komunikimit, marketingu dhe e drejta TV, rregullorja e lojës dhe kolegjiumet e arbitrave, analizat e një ndeshjeje futbolli, organizimi i sektorit të të rinjve, etj.

Një nga pjesëmarrësit në këtë edicion është edhe ish-futbollisti i njohur i Kombëtares, Mërgim Mavraj, i cili vlerëson maksimalisht mundësitë që FSHF po u jep profesionistëve të futbollit për t’u edukuar dhe për t’u kualifikuar gjithmonë e më shumë me programe shumë të mira, qoftë si trajnerë e qoftë si administratorë.

“Është një ndjesi shumë e mirë që më mundësohet mua si ish-futbollist i Kombëtares të bëj hapin e radhës në botën e futbollit, të më jepet mundësia të krijoj një bazë elementare në mënyrë administrative në të ardhmen.

Është një diplomë shumë e vlefshme, pasi është shumë e rëndësishme të kuptosh se çfarë ndodh jashtë fushës së blertë, në pjesën organizative të një ndeshjeje. Nuk është diploma e parë që marr, kam përfunduar edhe kursin për licencën e trajnerit UEFA B dhe kam punuar me lektorët e shkëlqyer të FSHF-së, që janë shumë të përgatitur, qoftë për kursin e UEFA B apo edhe tani me kursin e Drejtorit Sportiv.

Është një qasje shumë pozitive, tani organizimi i kurseve në godinën e re të FSHF-së me këtë infrastrukturë është diçka tejet pozitive dhe besoj se tani është detyra jonë të marrim sa më shumë njohuri të vlefshme. E dimë të gjithë që diploma është një kusht për t’u futur në botën e futbollit si menaxher pasi ke qenë edhe futbollist”, – thotë Mërgim Mavraj për Fshf.org.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat