Muller pendohet

Futboll

Muller pendohet

Më: 29 tetor 2022 Në ora: 11:33
Muller pendohet

Disfata e Barcelonës në tempullin e vet përballë gjigantëve të Bajernit me shifrat 0-3 nuk ka lënë asnjë gjurmë pozitive në ekipin e Çavit, aty ku vrenjtja e lojtarëve vendës u reflektua ndjeshëm pas vërshëllimës së trefishtë nga Entoni Tejlor.

Poshtërimi në fjalë nënkupton njëkohësisht edhe eliminimin nga kompeticioni më i rëndësishëm në rang klubesh për katalanasit, por personazhi më i zhurmshëm i kësaj merkatoje vere, atë çka nuk arriti ta bënte në fushë, arriti ta transmetonte përtej kamerave.

Fjala është për Robert Levandovskin. Bomberi polak nuk e kishte humbur respektin ndaj ish-shokëve dhe drejtuesve bavarezë, madje edhe pse jo në një gjendje të mirë psikologjike pas poshtërimit, sërish u tregua stoik dhe shkoi të takonte Mylerin me shokët. Skena në fjalë ka dalë në dritë nga dy protagonistët e gjigantëve nga Mynih: Myler dhe Salihamixhiç. Dyshja në fjalë nuk ngurroi të tregonte fragmente nga biseda, përpos ndjeshmërisë së treguar karshi polakut dhe spanjollëve pas eliminimit nga Liga e Kampionëve. Nuk duhet harruar se ishte Tomasi paraprakisht që hidhte kunja me videon e postuar në “Instagram”, krahas mbishkrimit: “Leva po vijmë”.

“Roberti u tregua një mik i vërtetë me gjestin e përshëndetjes me stafin e Bajernit.

Të jem realist nuk e prisja që ai të tregohet aq i ftohtë ndaj situatës së krijuar për të ndërmarrë një veprim të tillë, por ama njerëzit me vlerë në momente të tilla evidentohen. Nuk e meriton ambicia e tij dhe e klubit ku ai luan të ketë fund të tillë në këtë kompeticion. Futbolli ndonjëherë tregohet i pamëshirshëm, pa dallim emri”, citonte makthi i “blaugranave”.

“Vizita e Levës në dhomat e zhveshjes ishte surprizë e bukur për të gjithë. Arritëm ta menaxhonim në mënyrën sa më pozitive të mundshme, pa e prekur aspektin e përballjes apo çështjen e kualifikimit, e cila mund të ndikonte në gjendjen e 34- vjeçarit. Shkëmbimi i ideve u kthye në epiqendrën e diskutimeve. Bomberi polak është më shumë sesa thjesht djalë i mirë dhe meriton më të mirat në çdo aspekt. I uroj sa më shumë fat në rrugëtimin e tij në Katalonjë”, përfundoi drejtori sportiv nga “Allianz Arena”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat