Juventus - PSG me syrin e Buffon

Futboll

Juventus - PSG me syrin e Buffon

Më: 1 nëntor 2022 Në ora: 12:54
Juventus - PSG me syrin e Buffon

Përvoja e Ligës së Kampionëve prej tij është jetuar në të dyja skuadrat. Për një jetë me fanellën bardhezi, pastaj një edicion kalimtar me atë pariziene. Kaq mjafton për ta bërë Gianluigi Buffon një ish të shquar të ndeshjes së planifikuar për nesër në “Allianz Stadium” mes Juventusit dhe PSG.

Një ndeshje e vlefshme për xhiron e fundit të fazës në grupe të Champions-it, por që për “Zonjën e Vjetër” vlen vetëm për kualifikimin e mundshëm (dhe të dëshiruar) në “Europa League”. Me Ligën e Kampionëve, skuadra e Allegrit i ka “larë duart” për këtë sezon qysh në sfidën pararendëse. “E kam kaluar jetën time me Juventusin, – tha portieri i Parmës për agjencinë franceze të lajmeve AFP, – kështu që është e pashmangshme që të mos bëj tifo për të.

Ekziston një lidhje e fortë, e ndërtuar mbi gjithçka që kemi përjetuar së bashku në 20 vitet e fundit. Sidoqoftë, kam edhe kujtime të veçanta nga Parisi, nga shokët e skuadrës, nga tifozët. Ishte një nga përvojat më të mira të jetës sime si futbollist dhe si burrë. Është për të ardhur keq që kjo ndeshje nuk ka me të vërtetë rëndësi”.

Buffon më pas u fokusua në momentin aktual të Juventusit: “Ka qenë një sezon shumë i vështirë, dëmtimet e lojtarëve të rëndësishëm i kanë komplikuar gjërat. Në përvojën time, unë besoj se nuk mund të kuptojmë se cili mund të jetë problemi dhe cila mund të jetë zgjidhja pa qenë i pranishëm në dhomën e zhveshjes, pa ditur dinamikën e grupit dhe komunikimin mes trajnerit dhe lojtarëve”.

Së fundi, një shaka për PSG-në dhe shanset e parizienëve për ta fituar më në fund Ligën e Kampionëve: “Çdo vit duket se është i duhuri. Parisi, në shtatë apo tetë sezonet e fundit, ka pasur gjithmonë një ekip që mund ta kishte fituar. Në fakt, nu kia ka dalë dot ende.

Champions-i ka specifikë të veçantë, vendoset nga detajet, të cilat ndonjëherë varen edhe nga fati. Gjithsesi, çdo vit PSG është ndër favoritët kryesorë për ta fituar”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat