Kërkon historinë

Futboll

Kërkon historinë

Më: 15 dhjetor 2022 Në ora: 11:35
Hugo Lloris

Me 144 prezenca thellon rekordin e ndeshjeve për vendin e tij që tashmë e mban i vetëm, por dje Hugo Lloris barazoi edhe Manuel Nojerin.

Duke luajtur ndeshjen e 19 në një Kupë Bote, portieri i “Gjelave” ndan me homologun gjerman rekordin si portieri me më shumë prezenca në këtë turne.

Sidoqoftë, vëmendja e kapitenit francez nuk është te statistikat. Lodhja ndaj Marokut është e dukshme dhe ai nuk bëri asgjë për ta fshehur duke deklaruar: “Kemi vuajtur shumë, ndoshta më tepër se në çdo ndeshje tjetër.

Tani jemi të lodhur, por shumë të kënaqur. Po i japim vetes një mundësi të artë për ta bërë Francën pjesë të historisë. Një finale e dytë në 4 vjet nuk është diçka e zakonshme. Vërtetë fituam, por jo gjithçka ishte perfekte. Duke filluar nga nesër (sot), duhet të mendojmë që rikuperojmë energji”.

Së bashku me shokë si Zhiru, Grizman e Mbape, Loris të dielën do të jetë nga lojtarët e rrallë që kanë pasur shansin të luajnë dy finale të Kupës së Botës radhazi. Historia e pret, por nga përvoja e tij ai e di se duhet t’i kushtojë vëmendje rivalit dhe jo lavdisë.

“Argjentina është një ekip shumë i madh. Ata kanë treguar se sa konkurrues janë dhe kanë një lojtar të jashtëzakonshëm si Mesi) që ka bërë historinë në këtë sport. Argjentina dhe Franca janë dy ekipe që kanë gjithçka për një ndeshje të madhe, por ne do të përpiqemi ta kthejmë sfidën në anën tonë”, përfundoi Lloris.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat