Kursi i FSHF për trajnerin e përgatitjes atletike, ja kush janë lektorët e njohur

Futboll

Kursi i FSHF për trajnerin e përgatitjes atletike, ja kush janë lektorët e njohur

Më: 21 dhjetor 2022 Në ora: 11:27
Kursi i FSHF për trajnerin e përgatitjes atletike, ja kush janë lektorët e njohur

Në muajin janar do të nisë kursi i FSHF për trajnerët e përgatitjes atletike që do të udhëhiqet nga sektori i përgatitjes atletike në Drejtorinë Teknike e që këtë vit do të ketë një program të pasur e me mjaft emra të njohur në fushën akademike.

Ky kurs do të nisë më datën 09 janar 2023 dhe ndryshe nga viti i kaluar do të jetë i ndarë në katër periudha të ndryshme gjatë vitit e më konkretisht në datat 09-13 janar 2023, 23-27 janar 2023, 06-10 shkurt 2023 dhe 13-17 mars 2023. Kjo ndarje është konceptuar për të mos i penguar pjesëmarrësit dhe lektorët, që të mos shkëputen nga punët, klubet dhe impenjimet e tyre profesionale për një periudhë të gjatë.

Kursi në total është i përbërë nga 84 orë ku do të jenë të angazhuar pedagogë të njohur me 15 prej tyre që vijnë nga jashtë, të cilët janë emra të njohur të përgatitjes atletike me ekipet më të njohura në Europë e veçanërisht në Itali. Më konkretisht lektorë e huaj do të jenë Paolo Bertelli, Francesco Perondi, Riccardo Capanna, Roberto Sassi, Francesco Cuzzolin, Ferretto Ferretti, Davide Pisoni, Ermanno Rampinini, Andrea Azzalin, Armando Fucci, Agostino Tibaudi, Oscar Ortega, Paolo Gaudino, Cristoforo Filetti dhe Luigi Febbrari. Ndërsa lektorët shqiptarë do të jenë Aurel Loci, Mark Dodaj, Klea Zito, Donald Mziu, Arsim Tërshani, Fatos Ademi, Lekë Termkolli, Andi Kulli dhe Ervin Baku.

Ky kualifikim merr edhe një rëndësi të madhe për faktin se FSHF ka përfshirë në rregulloret e sezonit të ardhshëm detyrimin që çdo klub të ketë në stafin teknik një trajner të përgatitjes atletike të licencuar pikërisht nga Federata e Futbollit.

Kursi është një mundësi shumë e mirë për të gjithë të interesuarit që punojnë në botën e futbollit për t’u kualifikuar profesionalisht përmes një kursi që do të ofrojë të gjithë eksperiencën më të mirë bashkëkohore dhe lektorë me emër.

Trajneri i përgatitjes fizike po bëhet gjithmonë e më shumë një profesion mjaft i kërkuar dhe është një hallkë shumë e rëndësishme për një skuadër në futbollin e sotëm në një kohë që është bërë e domosdoshme për çdo klub që të ketë një specialist të mirëfilltë të fushës. Ky program do të udhëhiqet nga trajnerët e përgatitjes atletike të Ekipeve Kombëtare, Luigi Febbrari, Luca Laurenti dhe Iris Selimi. Interesi për këtë kurs është mjaft i lartë, ndërkohë që niveli i trajnimit ashtu si edhe vitin e kaluar do të jetë mjaft i lartë në aspektin akademik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat