Seleksionimet në Gjermani e Itali, Behari: Kemi evidentuar elementë që do t’i shërbejnë të ardhmes

Futboll

Seleksionimet në Gjermani e Itali, Behari: Kemi evidentuar elementë që do t’i shërbejnë të ardhmes

Më: 22 dhjetor 2022 Në ora: 12:07
Seleksionimet në Gjermani e Itali

Drejtoria Teknike e Federatës Shqiptare të Futbollti në bashkëpunim me skautët në Gjermani e në Itali kanë zhvilluar seleksionime me lojtarë shqiptarë të datëlindjeve 2005-2009 gjatë fundjavës së shkuar dhe fillimjavës në këto shtete. Rreth 300 lojtarë që aktivizohen jo vetëm në klubet gjermane e italiane, por edhe në ato zviceriane e austriake janë vendosur për herë të parë nën urdhrat e trajnerëve të ekipeve kombëtare, duke u angazhuar maksimalisht për të shfaqur cilësitë e talentin e tyre, në mënyrë që në të ardhmen të kenë mundësinë e një ftese nga përfaqësuesja shqiptare.

E kjo është konfirmuar edhe nga trajneri i ekipit kombëtar U-18, Ardi Behari, i cili ishte i pranishëm në të dyja seleksionimet, në Frankfurt dhe në Milano. Në një prononcim për fshf.org, tekniku Behari përgëzon fillimisht dy skautët e FSHF-së në këto dy shtete për punën e mirë që kanë bërë, ndërsa vlerëson edhe elementët e rinj, një pjesë e të cilëve i sheh edhe pjesë e ekipeve kombëtare në të ardhmen.

“Duhet thënë që janë kthyer në seleksionime rutinë nga ana e Drejtorisë Teknike në FSHF dhe janë shumë frytdhënëse sepse ‘krehim’ në njëfarë mënyre të gjithë lojtarët shqiptarë që luajnë nëpër shtetet përkatëse. Ana organizative ishte pak të them, e shkëlqyer. Vlen për t’u përgëzuar edhe skautët përkatës, si Ardian Dashi në Frankfurt, ashtu edhe Evis Jaho në Milano. Elementët ishin relativisht të mirë, por ajo që ndihmon më shumë është fakti që ne krijojmë një ide të qartë për të gjithë elementët që ne kemi nëpër Europë. Janë elementë që do t’i shërbejnë shumë të ardhmes, ata që janë evidentuar atje” – thotë për fshf.org trajneri Behari, i cili nënvizon se në vijim do të ketë seleksionime të tjera. “Dhe puna nuk mbaron me kaq sepse ky ishte hapi i parë i seleksionimit sepse në vijimësi, çdo element i përzgjedhur do të rigrumbullohet edhe njëherë nëpër shtetet përkatëse, për t’u futur në grupet ekzistuese të të gjitha ekipeve kombëtare të moshave” – shprehet tekniku kuqezi.

Sakaq, trajneri shqiptar i vlerëson si shumë të rëndësishme këto seleksionime në Gjermani e Itali, sidomos për elementët që mund të bëhen pjesë e ekipit kombëtar U-17, që do të marrë pjesë në ‘Elite Round’, duke synuar kualifikimin në Europianin e ardhshëm për këtë grupmoshë. Më tej, Behari vlerëson edhe lojtarët e grupmoshave 2007, 2008 dhe 2009, ndërsa nënvizon se këto tre datëlindje kanë elementë shumë cilësorë që shumë shpejt mund të bëhen pjesë të ekipeve kombëtare.

“Vlejti shumë, sidomos për skuadrat që i kanë aktivitetet afër. Për U-17 që është në Elite Round u përzgjodhën disa lojtarë që mund të bëhen shpejt pjesë e këtij grupi edhe për shkak të aktivitetit që ka kjo datëlindje. Një satisfaksion të madh morëm edhe nga datëlindjet më të vogla, 2007, 2008, 2009. Sidomos pjesa e Gjermanisë na ka bërë shumë përshtypje sepse kemi gjetur elementë mjaft cilësorë, të cilët ishin pak jashtë vëmendjes, për shkak të moshës. Nuk ishin skautuar dhe do të bëhen shumë shpejt pjesë e ekipeve përkatëse të moshave. Ajo që vlen për t’u përmendur është atmosfera e krijuar, festive, me shumë bashkëatdhetarë që shoqëronin fëmijët e tyre. Dhe shkoi çdo gjë në perfeksion, duke krijuar edhe tek ata një ndjesi shumë të mirë për organizimin e FSHF-së” – thotë trajneri Ardi Behari për fshf.org.

Drejtoria e Ekipeve Kombëtare në FSHF do të vazhdojë punën intensive për të zbuluar lojtarë të rinj e të vlefshëmepër ekipet kombëtare të moshave e që mund të jenë protagonistë në Kombëtaren A në të ardhmen. Në periudhën në vazhdim FSHF do të organizojë edhe seleksionime të tilla në vende të tjera të Europës, ku jetojnë komunitete shqiptarësh dhe ku FSHF ka skautët e saj që kujdesen për të zbuluar lojtarë të talentuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat