Belica i lumtur te Prishtina, por nuk e përjashton rikthimin në Shqipëri në të ardhmen

Futboll

Belica i lumtur te Prishtina, por nuk e përjashton rikthimin në Shqipëri në të ardhmen

Më: 29 dhjetor 2022 Në ora: 11:26
Belica

Egzon Belica pa për herë të parë pas 4 vitesh e gjysmë një derbi mes Tiranës dhe Partizanit në shkallët e stadiumit.

Ish-mbrojtësi i të kuqve, aktualisht pjesë e Prishtinës në Kosovë, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, tregon se kjo përballje e fundit mes dy fuqive të kryeqytetit i ka shijuar shumë.

Lojtari nga Struga shprehet se Partizani kishte më shumë besim këtë herë, teksa shton se mund të rikthehet sërish të luajë në Shqipëri.

Si po shkon aventura juaj te Prishtina?

Për momentin jemi brenda objektivave dhe çdo gjë po shkon shumë mirë. Te Prishtina në verën e shkuar është bërë çdo gjë nga e para dhe kualifikimi në kompeticionet europiane është qëllimi ynë, edhe pse Prishtina është nga klubet më të mëdha në Kosovë dhe synimi duhet të jetë titulli kampion.

Ka ndonjë shans që të ndërroni ekip në merkaton e janarit?

Unë kam kontratë me Prishtinën deri në verën e vitit 2023, kështu që gjasat që të ndërroj skuadër në janar janë shumë të vogla.

Ekziston si mundësi rikthimi në Shqipëri?

Në Shqipëri kam kaluar katër vite e gjysmë fantastike. Futbolli ka treguar se nuk i dihet asnjëherë të ardhmes dhe rikthimi në Shqipëri është një mundësi. Gjithsesi, duhet të theksoj se te Prishtina jam shumë i lumtur dhe po kaloj mirë.

E patë derbin? Si ju duk Partizani?

Derbin e fundit e kam parë në stadium dhe më ka shijuar tej mase. Është tërësisht një tjetër ndjesi kur je lojtar në fushë dhe kur e sheh ndeshjen nën komoditetin e tribunave. Më pëlqeu Partizani, por më pëlqeu edhe ndeshja në përgjithësi. Të kuqtë ishin më mirë në pjesën e parë, ndërsa Tirana u mundua më shumë në të dytën. Të paktën mesa arrita të shoh unë nga shkallët e stadiumit.

Çfarë patë ndryshe në këtë përballje mes dy ekipeve, në krahasim me ndeshjet e shkuara?

Ajo që më bëri përshtypje më së shumti në këtë derbi është se të dy ekipet zhvilluan një lojë të hapur dhe u munduan të shkojnë te fitorja që nga minuta e parë e deri në fund. Zakonisht në derbet e shkuara qëllimi i skuadrave ka qenë që të mos pësojnë, por këtë herë skuadrat luajtën shumë më hapur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat