Tregu francez i lojtarëve, një “minierë ari”

Futboll

Tregu francez i lojtarëve, një “minierë ari”

Më: 6 janar 2023 Në ora: 16:26
Tregu francez i lojtarëve, një “minierë ari”

Franca po kalon një epokë të artë në futboll, teksa më 2018-ën ngadhënjeu në Botërorin e Rusisë, ndërsa në atë të 2022-shit në Katar, iu mohua suksesi i dytë radhazi vetëm pas lotarisë së 11-metërshve, që i buzëqeshi Argjentinës.

Por, duket se e ardhmja do të vazhdojë të jetë premtuese për “Les Blues”. Të paktën kështu mendon shefi i zbulimit të talenteve të Milanit, Gëfri Monkada.

“Klubi juaj po kërkon blerje të reja? Nuk ka nevojë të shikoni përtej Atlantikut, por vetëm përtej Alpeve të Evropës”. Kjo është këshilla që ai u jep klubeve italiane të futbollit, duke shpjeguar edhe arsyet.

“Ata janë të gjithë midis moshës 16 dhe 20 vjeç, por thuajse të gjitha ata janë titullarë në skuadrat e Ligës 1”, sqaron Monkada.

“Është një brez i ri talentesh në kampionatin francez që po konkurron në nivelin më të lartë, duke garantuar njëkohësisht edhe elementë të mirë për përfaqësuesen”, - thotë ai gjatë një interviste me të përditshmen sportive franceze “L'Equipe”, duke i bërë një analizë të hollësishme tregut francez, një treg që sipas tij po lulëzon.

“Edhe më shumë sesa tregu brazilian, që është edhe më i shtrenjtë, por edhe më i vështirë sa i përket aftësive të futbollistëve për t’u përshtatur”, - thotë Monkada, i cili zbulon se, gjatë 5 viteve të fundit, prania e futbollistëve francezë nëpër kampionatet kryesore u rrit me plot 27 %, krahasuar me vetëm 5 % të brazilianëve.

Me pak fjalë, një hegjemoni franceze po konfirmohet në kontinentin e vjetër, falë politikave largpamëse, me struktura solide të stërvitjes, me staf kompetent, me shfrytëzim sistematik të analizave dhe të të dhënave, por edhe të psikologëve dhe me mundësinë konkrete dhe të shpejtë të të luajturit për skuadrën e parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat