Guardiola ironizon kritikët

Futboll

Guardiola ironizon kritikët

Më: 7 janar 2023 Në ora: 11:10
Guardiola ironizon kritikët

Pep Guardiola e ka quajtur me humor veten një gjeni pas zëvendësimeve që i sollën fitoren Mançester Sitit në ndeshjen delikate me Çelsin në Premier Ligë të enjten.

Rijad Mahrez shënoi golin e fitores në “Stamford Bridge” tre minuta pasi hyri në fushë në pjesën e dytë, i shërbyer nga një tjetër lojtar që e nisi ndeshjen nga stoli, Xhek Grilish. Dhe Guardiola kishte hedhur më herët në fushë Riko Ljuisin dhe Manuel Akanzhin në vend të Kajl Uokerit dhe Zhoao Kanselos për të gjallëruar skuadrën pas një pjese të parë të dobët.

“Pjesa e parë ishte e ngadaltë. Ne nuk krijuam shumë raste. Presingu ishte i dobët dhe nuk ishim të mirorganizuar. Por në pjesën e dytë, veçanërisht me Manuel dhe Rikon ne ishim më mirë. Jam një gjeni, sepse pas Evertonit më pyetën përse nuk bëra një zëvendësim deri në minutën e 81-të. E mendova këtë gjë dhe në këtë ndeshje bëra disa”, tha tekniku 51-vjeçar me notat e ironisë së zakonshme. Siti shkurtoi diferencën me kryesuesit e Arsenalit në -5 pikë.

“Mund të kishim humbur këtu, por tani jemi 5 pikë pas Arsenalit. Mendoj se është normale që të gjendesh në këtë pozicion pas katër titujsh kampion në 5 vitet e fundit”, shtoi tekniku i “Qytetarëve”.

“Njerëzit besojnë se ne jemi kampionë që në nëntor dhe kjo është e pamundur. Skuadrat e tjera nuk e kanë këtë presion, sepse njerëzit thonë në shtator se titullin e fiton Siti. Pas katër titujsh në 5 vite nuk është e lehtë t’i nxitësh sërish.

Prandaj unë jam i kënaqur për atë që ka ndodhur në vitet e fundit. Ne do të preferonim që të ishim më pranë Arsenalit, por me mënyrën sesi ata kanë luajtur, meritojnë të jenë më mirë se ne”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat