Agim Ademi: Ikja e hershme e Aliut nga kjo botë ka lënë zbrazëti të madhe 

Futboll

Agim Ademi: Ikja e hershme e Aliut nga kjo botë ka lënë zbrazëti të madhe 

Më: 7 janar 2023 Në ora: 13:45
Ali Zasella

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është i pikëlluar me ikjen në amshim të veprimtarit të sportit, Ali Zasella.

“Me pikëllim të madh e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj Ali Zasella, andaj më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve dhe të gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.

Ikja e hershme e Aliut nga kjo botë ka lënë zbrazëti të madhe në familjen tuaj, por edhe në familjen e gjerë të futbollit.
Ai që nga rinia e tij e hershme ishte pjesë e futbollit, fillimisht si portier në vitet e 80-ta e 90-ta në KF Birlik, e më pas edhe si drejtues dhe donator i këtij klubi.

Aliu si biznesmen i shquar ishte gjithmonë afër futbollit, teksa dha kontributin e tij për të gjitha sportet në qytetin e Mitrovicës.

Ai nga viti 2008 për dy mandate katërvjeçare e udhëhoqi Lidhjen Rajonale të Mitrovicës, duke qenë shembull i organizimit dhe ndikuar në masovizimin e futbollit e në përmirësimin e kushteve në të gjitha aspektet në këtë regjion.

Aliu njihej si njeri i urtë, i palodhshëm e këmbëngulës në arritjen e objektivave dhe personalitet me vlera të mëdha intelektuale e humane, andaj si i tillë do të kujtohet përherë.

I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!”, shpreh ngushëllime Ademi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat