Nga De Ketelar tek Origi, blerjet e verës nuk bindin

Futboll

Nga De Ketelar tek Origi, blerjet e verës nuk bindin

Më: 11 janar 2023 Në ora: 12:16
Nga De Ketelar tek Origi, blerjet e verës nuk bindin

Fitimi i kampionatit italian në sezonin 2021-‘22 i rriti pretendimet e Milanit mbi prezantimin në Kupat e Europës, sigurisht që ruajtja e titullit në Serinë A mbetej në kreun e listës së objektivave të sezonit tëri. Gjithsesi deri në këto momente, përveç kualifikimit në fazën me eliminim direkt, gjendja në frontet e tjera ka marrë më shumë trajtën e një dëshire sesa arritjeje.

Barazimi në fundjavë shkaktoi shumë diskutime mbi potencialin e një prej klubeve më të trofeshme në Itali. Përsëritja e suksesit të vitit të kaluar në Serinë A do të mbetet një ëndërr e bukur.

Treshja drejtuese dhe organizuese e Milanit: Skaroni (Presidenti)-Franko Baresi (Zv/Presidenti)-Paulo Maldini (Drejtori teknik) u prezantuan me pretendime të mëdha përpara nisjes së sezonit, madje duke cituar se “menyja” e kuqezinjve në këtë dritare do të mbartë lojtarë me peshë dhe perspektivë për të ardhmen.

Pas 17 javësh kampionat dhe atij akti “harakiri” ndaj Romës, 7 pikë është hendeku me vendin e parë (Napoli44 pikë), aq sa numri i personazheve të ardhur në merkaton e verës nga drejtime dhe reparte të ndryshme:

1. SHARL DE KETELARE- Ish-futbollisti i Klub Bryzhit u prezantua me pretendime të mëdha në “San Siro”, aq sa filluan të besonin se ai do të trashëgonte magjinë e mesfushorëve belgë, ndonëse deri në këto momente mbetet thjesht një hipotezë. 829 minuta është kuota që Sharl ka shkelur fushën e blertë me fanellën e Milanit në këtë sezon.

Në këtë total rezulton se ai ka zhvilluar 20 sfida (15 Seria A dhe 5 në Champions), ku prania e golit ka marrë trajtën e aktualitet kinematografik shqiptar “Përrallë nga e kaluara”, mbi bazë të asaj çka dëshmonte te Bryzhi.

Takimi i fundit që Pioli do t’i jepte shansin daton më 1 tetor ndaj Empolit, më pas asgjë, thuajse i zhdukur, njëkohësisht duke e dërguar në humnerë shifrën e 32 milionë eurove që Maldini do t’ia adresonte ekipit belg, me qëllim kryerjen e marrëveshjes.

2. DIVOK ORIGI- Aventura me medalje, por bujë e Origit në Angli u mendua se do t’u shërbente pozitivisht kampionëve të 7-fishtë në Ligën e Kampioneve. Por as në këtë rast historia nuk ka një vazhdimësi të lumtur, pasi për të thënë fund është shpejt.

Vlen të përmendet se 27-vjeçari me tipare sulmuesi ka grumbulluar 502 minuta lojë në total si pjesë e ekipit të Milanit. 10 prezantime në Serinë A dhe vetëm një gol ndaj Monzës.

A ia vlen të quhet ky biznes i suksesshëm, pavarësisht se ai do të sigurohet pa asnjë kacidhe, si rezultat i përfundimit të kontratës?! Dëmtimet kanë luajtur një tjetër rol negativ në formën e Divokit, ndonëse nuk mund të quhet justifikim i arsyeshëm, mbi atë çka u ideua nga tifozët milanistë.

3. SERXHINJO DEST- I jashtëzakonshmi i Ajaksit do të kthehej në të zakonshëm të Barcelona dhe të dobët te Milani, fjala është për Serxhinjo Dest.

Pozita e tij e deritanishme ka marrë më shumë nuancat e një spektatori, sesa aktori në fushën e blertë, e përkthyer në 380 minuta. Sahati i “Djallit” flet qartë mbi rëndësinë e amerikanit në fazën difensive, madje nga analistët përfundimi i epokës në Itali është thuajse mision i përfunduar, (10 ndeshje, 0 gola, 0 asiste) si rezultat i formulës së huazimit nga katalanasit.

4. MALIK TIAV- Talenti i mbrojtjes së Shalkes, Tiav, do të ndërmarrë mision të vështirë mbi shpatulla në fillim të këtij edicioni, nisjen e rrugëtimit si mbrojtësi i ri i Milanit. Kuqezinjtë do të detyroheshin të bindnin gjermanët në shifrën e 7 milionë eurove (5 milionë + 2 bonuse).

Debutimi mund të konsiderohet me të drejtë si ai i ëndrrave, pasi Malik do të mbronte në dy raste flagrante triumfin e të tijve në “Bentegoti”. Gjithsesi, kaq nuk do ta bindte Piloin për t’i dhënë dorën e lirë të të vepruarit 21- vjeçarit në fushë. 4 duele të zhvilluara gjithsej dhe 123 minuta aktiv.

Trajneri i Milanit duket qartë se e shikon si opsion të së ardhmes, pavarësisht rendimentit të kënaqshëm.

5. JASIN ADLI- Mesfusha ishte kthyer në repartin me të dëmtuar pas largimit të Fron Kesis, aty ku Adli u pa si një opsion për të zvogëluar disi hendekun e kësaj humbjeje. Bordo ia doli t’i rrëmbejë 10 milionë euro në këtë transferim, por Milani nuk ia ka dalë ende ta “shtrydhë” talentin e tij, me qëllim kthimin e këtij “borxhi”.

4 ndeshje të luajtura dhe 114 minuta me manovra pa rezultat në katërkëndëshin e blertë.

6. ATER VRANK- ”Kolonia” e lojtarëve belgë te Milani do t’i shtohej me Vranks nga Volfsburgu (huazim). Potenciali i tij vlerësohet shumë nga drejtuesit e “Djallit”, ndërsa Pioli i ka dhënë vetëm 66 minuta në 6 takime të ndryshme, si zëvendësues.

Aftësitë e tij të japin të drejtë për të besuar se ka të ardhme të ndritur, ndonëse aktualisht mbetet ende një fener i zbehtë.

7. TOMASO POBEGA- Ish-torinezi Pobega mund të quhet pa diskutim si blerja më e zgjuar nga kampionët në fuqi të Italisë.

Edhe pse nuk titullohet një blerje (huazim nga Torino) “e zyrtarizuar”, Piloi ka fituar besim në aftësitë e Tomasos, e përkthyer me 2 rrjeta në 16 sfida përgjatë 606 minuta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat