Ancelotti: Na bënë të vuajmë, por ia dolëm!

Futboll

Ancelotti: Na bënë të vuajmë, por ia dolëm!

Më: 12 janar 2023 Në ora: 11:48
Ancelotti

Carlo Ancelotti e di më mirë se kushdo rëndësinë e kualifikimit për në finalen e Superkupës së Spanjës. Dhe ai nuk ka ngurruar ta thotë hapur se ajo vjen në momentin më delikat të Realit në këtë sezon.

Edhe ndaj Valencias, skuadra e tij nuk ka shkëlqyer. Sërish është dashur një penallti për të shkuar te goli. Por për Ançelotin, rëndësi ka suksesi.

“Ka qenë një ndeshje shumë e vuajtur për ne, tepër e ndërlikuar, sepse dhe Valencia ka luajtur mjaft mirë.

Në fakt e kemi ndërlikuar vetë ndeshjen tonë me një gabim trashanik kolektiv në fillimin e pjesës së dytë kur na barazuan. Unë kam parë një pjesë të parë mjaft mirë si dhe fundin e takimit ku kemi treguar freski. Natyrisht që jemi të kënaqur, sepse është qartësisht e dallueshme se skuadra nuk është në formën e saj optimale. Rëndësi ka qe ne të përmirësohemi ndeshje pas ndeshjeje dhe çdo sukses të jep më shumë moral”, ka thënë Ancelotti.

Më pas Ançeloti i është kthyer sërish gabimeve në mbrojtje.

“Unë mendoj se në bllok mbrojtja ka luajtur mjaft mirë. Sa për golin mendoj se ishte gabimi i vetëm që bëmë dhe nuk ishte gabim individual, ishte gabim kolektiv”, ka thënë italiani.

Ançeloti ka folur edhe për të dëmtuarit, duke nënvizuar se më problematik është rasti i Lukas Vaskez. Sa për finalen edhe italiani i Realit nuk ka shprehur ndonjë preferencë, ndonëse në Arabi presin të gjithë “Klasiken”.

“Tani nuk mund të mendojmë për rivalin tonë në finale. Tani duhet të mendojmë që jemi në finale, që ishte dhe objektivi i parë. Zakonisht nuk dalim keq nëpër finale. Ndaj shkojmë për ta fituar atë”, tha Ancelotti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat