Poter i ka orët e numëruara

Futboll

Poter i ka orët e numëruara

Më: 14 janar 2023 Në ora: 11:57
Poter

Çelsi do të tentojë trajnerin e Frankfurtit, Oliver Glasner, në rast se shkarkon Graham Poterin. Blutë e Londrës po vuajnë serinë e rezultateve më të dobëta që prej vitit 1996 dhe trajneri 47-vjeçar nuk e ka më të sigurt të ardhmen e stolit.

“The Sun” rendit mes alternativave për ta zëvendësuar ish-trajnerin e Brajtonit edhe teknikun austriak, i cili e udhëhoqi klubin e Bundesligës drejt triumfit në Ligën e Europës sezonin e shkuar.

Poter mund të shkarkohet pas humbjes 2-1 me Fulhamin të enjten, e para e bluve ndaj fqinjëve të tyre në 17 vite, e cila e la Çelsin me vetëm një fitore në 9 ndeshjet e fundit të Premier Ligës.

Pronarët e rinj të Çelsit janë të vendosur për të vazhduar me njeriun që zgjodhën në shtator, por rezultatet kanë mbërritur në një pikë të patolerueshme për një klub elitar.

Bashkë me Poterin mund ta pësojë edhe stafi mjekësor i skuadrës. “Telegraph” shkruante një ditë më parë se lojtarët janë të shqetësuar se pronari Bohli mund të bëjë një revolucion të vërtetë në departamentin e mjekësisë së klubit, ndërsa po përgatiten për një analizë të thellë për shkaqet e listës së gjatë të dëmtimeve.

Aktualisht Poter ka në infermieri 10 lojtarë të skuadrës së parë. Lojtarët nuk kanë qenë dakord me ndryshimet që pronari i ri bëri në verë në këtë departament, duke vënë në dyshim metodat e stafit të ri. Tieri Loro, i cili ishte doktori i parë në klub për 17 vite, u shkarkua në “Zoom”.

Ndërsa shefi i stafit mjekësor, Pako Bioska, u largua gjithashtu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat