Bylis përforcohet në mbrojtje dhe mesfushë

Futboll

Bylis përforcohet në mbrojtje dhe mesfushë

Më: 17 janar 2023 Në ora: 11:31
Bylis përforcohet në mbrojtje dhe mesfushë

Vangjel Zguro dhe Kristi Kote janë dy lojtarët e rinj të Bylisit. Klubi ballshiot zyrtarizoi mëngjesin e së martës afrimin e dy lojtarëve të rinj, të cilët i janë bashhkuar skuadrës në përgatitjet. Zguro ishte pjesë e Skënderbeut, megjithatë mbrojtësi i majtë vendoi që të largohet nga korçarët për një aventurë të re në Superiore.

29-vjeçari luajti 9 ndeshje në gjysmën e parë të sezonit, duke shënuar dhe 2 gola. Në të shkuarën mbrojtësi i krahut ka qenë dhe pjesë e Pogradecit, Butrintit, Korabit, Luftëtarit, Kukësit e Kamzës, ndërsa është angazhuar dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Tulsa dhe Chattanooga.

Në anën tjetër, Kristi Kote transferohet si nujë lojtar i lirë gjithashtu, pasi ndërpreu marrëveshjen me Kukësin. Aventura e mesfushorit te verilindorët nuk shkoi sipas pritshmërive, teksa u largua pas vetëm 5 muajsh. 24-vjeçari luajti vetëm 6 ndeshje me kuksianët, prej të cilave vetëm 2 si titullar. Bylisi është skuadra e tretë për korçarin i cili është formuar si futbollist në akademinë e Partizanit.

Bylis aktualisht e sheh veten në kuotën e 17 pikëve, po aq sa dhe Teuta duke lënë pas vetëm Kukësin me një pikë më pak. Ballshiotët besojnë se Zguro dhe Kote janë afrimet e duhura që do e ndihmojnë skuadrën për të siguruar objektivin mbijetesë këtë edicion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat