Marrëdhënia Roma - Zaniolo në “kolaps”

Futboll

Marrëdhënia Roma - Zaniolo në “kolaps”

Më: 28 janar 2023 Në ora: 11:18
Zaniolo

Marrëdhënia Roma-Zaniolo duket se është shkatërruar totalisht, me anësorin nga njëra anë që kërkon me ngul largimin nga Roma dhe nga ana tjetër klubi “verdhekuq” që nuk di më se si të menaxhojë situatën me “fantazistin” e sulmit.

Oferta e vetme për Zaniolon erdhi nga anglezët e Bournemouth, me “kryeqytetasit” që vendosën ta pranonin ofertën e “qershive” prej 30+5 milionë eurosh, si dhe 10% të shumës së shitje në të ardhme, por ishte vetë futbollisti ai që refuzoi takimin me drejtorin sportiv të Bournemouth.

Kjo e vendosi klubin romak në një pozitë të vështirë, me lojtarin që më parë kishte shprehur gatishmërinë për t’u larguar nga klubi, por tani refuzoi ofertën e vetme dhe tashmë “verdhekuqtë” po mendojnë të marrin masa disiplinore ndaj tij.

Më herët u raportua se bordi i Romës i dha Zaniolos një ultimatum të “frikshëm”, pranimin e kontratës së Bournemouth ose nuk do të luajë deri në fund të kontratës.

Opsioni i fundit, nuk duket të jetë një problem për “ujqërit” e kryeqytetit, me 23-vjeçarin që ka zhgënjyer deri më tani këtë sezon, teksa ka shënuar vetëm 2 herë dhe ka dhënë vetëm 1 asist në plot 17 ndeshje..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat