Presidenti i nderit i Bylisit tregon objektivat

Futboll

Presidenti i nderit i Bylisit tregon objektivat

Më: 29 janar 2023 Në ora: 15:52
Presidenti i nderit i Bylisit tregon objektivat

Presidenti i nderit i Bylisit, Agron Kapllanaj, ka komentuar fitoren e dytë radhazi të skuadrës ballshiote, e cila i është larguar pak fundit të klasifikimit dhe tashmë sheh se si skuadra mund të afrohet me mesin e artë të tabelës. Duke folur pas fitores me Kastriotin, ai premtoi se ekipi do të vazhdonte me lojë cilësore.

“Sigurisht rezultati të kënaq, tre pikët ndikojnë në renditje.

Ekipi i Bylisit nuk është se ka bërë ndeshje të këqija, ka merituar pikë më tepër, por edhe fati ndonjëherë nuk të do.

Kemi bërë më mirë, edhe fryma e trajnerit të ri, ndoshta edhe blerjet e reja që kanë kualitet, që nuk janë ende në 100% se do të përshtaten, por edhe grinta, ka sjellë rezultatet. Nuk kemi vjedhur asgjë, kemi marrë dy fitore radhazi, dy fitore të merituara.

Ai projekt që kemi për stadiumin është një premtim dhe ambicie për ne dhe besoj se pas datës 14 maj do të ndryshojë jo vetëm ai projekt që do të bëhet realitet, por do të ndryshojnë shumë gjëra në Mallakastër. Them që im vëlla sot ka qenë pranë nesh, është kthyer nga mjekimi, është nën kujdesin e mjekëve, por është më mirë.

Ne do të vazhdojmë atë që kemi nisur, në fazën e tretë e kemi nisur me këmbën e mbarë, kam besim te djemtë në ekip se luajnë futboll. Afrimet e reja, apo ndonjë emër i ri që presim, do të bëjë diferencën, do të vazhdojmë duke luajtur futboll të bukur, Fair Play, shpresojmë që të marrim atë që duam dhe shpresojmë të ketë korrektësi nga arbitrimet dhe kundërshtarët në fushë.

Në fillim të kampionatit ndoshta kemi pasur objektiva të mëdha, por duke parë ndeshjet një pas një dhe renditjen, synimi i parë është mbijetesa. Por kur sheh diferencën mes mbijetesës dhe kupave të Europës, të lind dëshira pse të mos pretendojmë më tepër. Por të jemi me këmbë në tokë, synimi është mbijetesa.

Unë falënderoj tifozët që kanë mbështetur ekipin e zemrës dhe u bëj thirrje të jenë sa më të shumtë. Jam i bindur, siç e keni parë, tifozët janë shtuar. Fatkeqësia e madhe është largimi i të rinjve nga ky vend dhe kjo dëmton Bylisin dhe ekipet e tjera. Për fat të keq nuk e ndalojmë dot këtë hemorragji dhe është fatkeqësi për këtë vend”, tha Agron Kapllanaj pas sfidës për “Oversport”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat