Promovohet dokumentari “I denjë për Tiranën”

Futboll

Promovohet dokumentari “I denjë për Tiranën”

Më: 10 shkurt 2023 Në ora: 13:46
Promovohet dokumentari “I denjë për Tiranën”

Është shfaqur sot për herë të parë dokumentari me titullin “I denjë për Tiranën”, kushtuar ish-futbollistit të famshëm të Tiranës, Skënder Hyka, e që mblodhi në Shtëpinë e Futbollit personalitet të njohura të futbollit ndër vite dhe personazhe të jetës publike.

Dokumentari kushtuar ish-lojtarit të mirënjohur kryeqytetas është realizuar me regji të Osman Mulës dhe me mbështetjen e FSHF-së nën kujdesin e veçantë të Presidentit Armand Duka.

Përveç miqve, kolegëve, zyrtarëve më të lartë të FSHF-së dhe personaliteteve të futbollit shqiptar e artit, të pranishëm në promovimin e këtij dokumentari ishin edhe familjarët e Skënder Hykës.

Në fillim të ceremonisë, Presidenti Duka shprehu kënaqësinë që nëpërmjet realizimit të këtij dokumentari të gjithë do të kenë mundësinë të njihen me historinë e këtij ish-futbollisti të famshëm. Ai tha se Skënder Hyka ishte një mik i mirë me karakteristika të jashtëzakonshme që kishte vlera të mëdha për të gjithë shoqërinë.

“Përmes një dokumentari të realizuar me shumë dashuri nga Osman Mula ne rikujtojmë disa nga ngjarjet apo historitë për ish-futbollistin, trajnerin, zyrtarin, familjarin e babanë shumë të mirë, mikut tonë të përbashkët Skënder Hyka.

Ai ka qenë një personazh i veçantë i botës së futbollit jo si gjithë të tjerët me shoqëri e miqësi nga të gjitha fushat e jetës e kryesish nga arti.

Për mua personalisht Skënder Hyka ka qenë një shok e një mik shumë i mirë, me karakteristika të jashtëzakonshme, gjithmonë në mbështetje dhe shumë human. E kujtoj me shumë dashuri në fakt dhe po me kaq dashuri jemi nisur për ta realizuar këtë dokumentar në kujtim të një miku.

Hyka ka qenë një njeri me kontribute të jashtëzakonshme për futbollin shqiptar.

Veçanërisht familjarët e tij duhet të jenë krenarë për atë çfarë ka lënë Skënder Hyka pas, jo vetëm për futbollin, por edhe për shoqërinë shqiptare”, – tha Presidenti i FSHF-së në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë së promovimit.

Regjisori i dokumentarit, Osman Mula, tha se ndihej krenar që mundi të realizojë këtë vepër për një nga miqtë e tij më të mirë, por që ishte një personalitet i respektuar në të gjitha fushat e jetës.

“Është kënaqësi të jem mes kaq shumë personalitetesh.

Jam krenar që arrita të bëj këtë dokumentar për Skënder Hykën dhe doja t’i ktheja respektin e madh që kisha për mikun tim e shokun e të gjithëve.

Kur takoheshim unë e pyesja për futbollin, ndërsa ai më pyeste për festivalet, por në bisedat tona flitej për gjithçka që kishte të bënte me jetën sociale. Edhe këngën e festivalit unë dhe Luan Zhegu nuk e dërgonim pa e dëgjuar më parë Skënderi.

Falënderoj shumë Presidentin Duka që na mbështeti dhe na mundësoi realizimin e këtij dokumentari, ashtu si edhe stafin që punoi e që përgatiti këtë material.

Kemi shumë figura të mrekullueshme të sportit për të cilat duhen bërë dokumentare në mënyrë që brezat e rinj të njihen me historinë dhe të krijojnë ideale”, – theksoi Osman Mula.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat