Interi dhe Romelu Lukaku nuk duan t’i ndajnë më rrugët

Futboll

Interi dhe Romelu Lukaku nuk duan t’i ndajnë më rrugët

Më: 10 shkurt 2023 Në ora: 22:35
Lukaku

Interi dhe Romelu Lukaku nuk duan t’i ndajnë më rrugët e tyre, edhe pse ribashkimi i këtij sezoni nuk ka shkuar si pritej deri më tani.

Pavarësisht ndalesave për shkak dëmtimesh të belgut, që nuk ka arritur të japë kontributin e tij për gjashtë muaj, pasi goli në kampionat i mungon që prej 20 gushtit, klubi italian nuk ka ndër mend të privohet nga shërbimet e tij.

Kjo është edhe arsyeja pse drejtuesit zikaltër kanë nisur lëvizjet e tyre dhe kanë kontaktuar gjatë këtyre ditëve Sebastian Ledurin, avokatin që kuron interesat e lojtarit dhe, i cili ishte deciziv në rikthimin e Lukakut si huazim i thjeshtë në Milano në verë.

Interi ka paguar 8 milionë euro plus 3 milionë në formë bonusesh për ta pasur pjesë të skuadrës deri në qershor, kur skadon dhe afati i transferimit të tij, të cilin klubi italian po përpiqet ta përsërisë.

Për të huazuar edhe për një tjetër vit sulmuesin ama, zikaltrit duhet të gjejnë ende gjuhën e përbashkët me Çelsin, që ka në pronësi kartonin e tij.

Për të mbajtur Lukakun në skuadër, zikaltrit kanë caktuar një takim me drejtuesit e bluve në mesin e muajit mars, pasi Interi të ketë luajtur të dyja ndeshjet me Porton, të vlefshme për fazën e 1/8-ave të Champions League.

Klima që mbizotëron ama për gjetjen e akordit është pozitive, edhe pse qëllimi parësor i zikaltërve është të ulin shumën e huazimit aktual, madje duan të shkojnë deri në përgjysmimin e saj.

Synimi i Marotës është ta dërgojë vlerën në 4 milionë euro përveç bonuseve dhe për ta arritur këtë do të përfshijë edhe rendimentin e deritanishëm të 29-vjeçarit, që ka qenë poshtë pritshmërive.

Dëmtimet, që nuk e kanë lejuar të ketë më shumë se 11 ndeshje në të gjitha kompeticionet në të cilat ka luajtur 474 minuta dhe ka shënuar vetëm dy gola, do të jenë alibia kryesore e zikaltërve në uljen e çmimit.

Sidoqoftë, në arritjen e marrëveshjes do të ndikojë patjetër edhe vullneti i vetë “Big Rom”-it, që nuk dëshiron të largohet nga Interi, ashtu si edhe marrëdhëniet e mira mes dy klubeve. Por deri në takimin mes palëve, Lukaku ka edhe një muaj në dispozicion për ta fituar në fushë qëndrimin në Milano dhe pritet ta nisë që nga ndeshja me Sampin.

Titullar pas një kohe të gjatë, kampionati do të jetë prova e parë e belgut, për të cilin Interi do të ketë më shumë se kurrë nevojë në sfidën e dyfishtë me Porton.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat