Nga 31 federata të sportit, vetëm 18 janë rekomanduar për licencim

Futboll

Nga 31 federata të sportit, vetëm 18 janë rekomanduar për licencim

Më: 11 shkurt 2023 Në ora: 14:56
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka mbajtur tryezën e tretë të sportit, ku temat kryesore që u diskutuan ishin procesi i licencimit të federatave sportive, drafti i strategjisë shtetërore për sportit, hartimi i ligjeve të reja në sport, si dhe organizimi i garave ndërkombëtare në sport.

Sipas një komunikate të MKRS-së, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të federatave sportive, zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, si dhe përfaqësuesve të tjerë komunitetit sportiv, janë marrë disa konkludime.

Në komunikatë theksohet se Komisioni i MKRS-së për licencim të federatave sportive po vazhdon angazhimin e saj në trajtimin e aplikacioneve të federatave për licencim dhe shqyrtimin e dokumentacioneve të tyre, në përputhje të plotë me udhëzimin e ri administrativ për licencim, i cili ka hyrë në fuqi gjatë vitit 2022.

“Sipas raportit të komisionit, deri më tani janë dhënë rekomandime për licencimin e 18 federatave, gjersa numri gjithsej i federatave që kanë aplikuar për licencim është 31. Gjatë procesit të licencimit nga federatat janë ngritur 2 çështje si më sfiduese: Statusi juridik i federatave/ klubeve; Vërtetimi i komunave përkatëse për klube. Ndërsa komisioni për licencim të federatave ka prezantuar 3 gjetje si më të shpeshtat përgjatë procedurës së vlerësimit të aplikacionit të federatave: Mos harmonizimi i akteve normative të federatave me legjislacionin në fuqi; Pozitat e shumëfishta të personave në pozitat drejtuese dhe profesionale; Mos regjistrimi i klubeve në komunat përkatëse. Pikat e lartpërmendura u rekomanduan që të trajtohen dhe të gjejnë zgjidhje në Ligjin e ri të Sportit”, thuhet në komunikatë.

Në këtë takim është diskutuar edhe drafti aktual i strategjisë shtetërore për zhvillimin e sportit, ku u prezentua me përditësimet e komenteve nga ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë.

“Dokumenti në fjalë përfshinë 5 qëllime strategjike: 1. Ndërtimi i një shoqërie vitale nëpërmjet pjesëmarrjes në sport dhe aktivitete fizike;2. Zhvillimi i kapaciteteve njerëzore dhe aftësive të qeverisjes së mirë;3. Përmirësimi i infrastrukturës dhe objekteve sportive;4. Më shumë rezultate kulmore në sportin e Kosovës;5. Hartimi i politikave afatgjate sportive. U propozua që të shtohet indikatori i vlerësimit të sfidave dhe sukseseve, gjë që fuqizon më tej dokumentin strategjik. Drafti pritet të vendoset në platformën e konsultimeve publike deri më 1 mars, ndërsa nga Qeveria pritet të miratohet përgjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, me synimin që më pas të gjitha organizatat sportive dhe strukturat e tjera, të funksionojnë në përputhje me këtë strategji. Në tryezë është diskutuar për përmirësimin e politikave ekzistuese dhe zhvillimin e reformës ligjore në sport, ku pjesëmarrësit u informuan mbi planet dhe angazhimet e MKRS-së në këtë drejtim. Korniza primare ligjore në sport sivjet synohet të përmbushet me 3 ligje të reja: 1. Hartimi dhe miratimi i Ligjit të ri për sport 2. Miratimi i Ligjit për Antidoping 3. Plotësim ndryshimi i Ligjit për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive Reforma ligjore vjen si rrjedhojë e gjetjeve dhe rekomandimeve të konkluduara në Koncept Dokumentin për Sport, i cili u aprovua në fund të vitit 2022. Reforma pritet të realizohet përgjatë periudhës 2023/24, duke përfshirë këtu edhe hartimin e mbi 12 akte normative që vijnë si derivat i ligjeve të mësipërme. Disa nga tematikat që do të trajtohen dhe do të gjejnë zgjidhje në ligjin e ri për sport janë: modeli i financimit të sportit përfshirë grantin e veçantë të sportit për nivelin lokal, menaxhimi dhe mirëmbajtja e infrastrukturës fizike sportive, regjistrimi dhe funksionimi i të gjitha organizatave sportive në vend, organizimi i garave ndërkombëtare në Kosovë, fuqizimi i përfaqësimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, si dhe ngritja e kapaciteteve njerëzore. Organizimi i garave ndërkombëtare në vend u trajtua si një politikë e veçantë shtetërore që synohet të shtyhet përpara nga ana e Qeverisë, me qëllim të promovimit sa më të mirë të vendit në skenën ndërkombëtare. Organizimi i ngjarjeve të tilla do të ndikonte në 3 fusha: •Ndikimi brendshëm – Zgjerimi i burimeve financiare dhe njerëzore, zhvillimi i sportit, komercializimi dhe sponsorizimet; •Ndikimet strategjike/ politike – Adaptimi në strategjitë politike ndërkombëtare dhe promovimi i vendit; • Ndikimi infrastruktural – Përmirësimi dhe zhvillimi i infrastrukturës dhe krijimi i një trashëgimie të qëndrueshme infrastrukturore”, thuhet në komunikatë, ku thesohet se gjatë këtij takimi u tha se mbështetja nga niveli institucional për organizime të tilla do të jetë e madhe dhe për këtë arsye u inkurajuan të gjitha federatat sportive që në koordinim me MKRS-në të synojnë që ta fitojnë të drejtën e organizimit të ngjarjeve sa më të mëdha sportive në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat