Allegri në presion

Futboll

Allegri në presion

Më: 18 shkurt 2023 Në ora: 12:51
Masimiliano Allegri

Përpara debutimit të tij në Ligën e Europës, të enjten kundër Nantës, për Masimiliano Allegrin vinin fjalë të forta dhe me peshë nga shefi i ri i klubit, Françesko Kalvo:

“Jemi me fat që kemi një person si Alegri që di të ruajë qetësinë në momentet e vështira dhe të menaxhojë grupin.

Por tani duhet të bëjmë që Kupa e Italisë dhe Liga e Europës të shndërrohen në objektivat tanë realë”.

Por ende pa e lëshuar mirë emocionet që i dhanë këto komplimenta, ja tek Nantë mendon që t’i shkaktojë një tronditje shumë të fortë pikërisht “Konti Maks”, duke i marrë një barazim në “Allinz Stadium” dhe duke komplikuar frikshëm mundësinë për të avancuar edhe në turneun e dytë për nga rëndësia, të UEFA-s.

Ndonëse në mbrëmjen e të enjtes bardhezinjtë ishin edhe disi të pafat si rrjedhojë e dy shtyllave të goditura dhe një penalltia të pastër që nuk iu dha pavarësisht rishikimit në VAR, në sekondat finale, për trajnerin 55-vjeçar pas elozheve ka ardhur edhe kërcënimi i parë: “Pa ecur përpara në Ligën e Europës je jashtë!”.

Shkurt dhe me të drejtë ndoshta, sepse nëse krahason cilësinë e Juventusit me atë të Nantës, apo edhe me skuadrat e tjera që kanë mbetur në garë për këtë kompeticion, fare pak mund t’i afrohen, për të mos folur pastaj për anën ekonomike që është stratosferike…

Dhe kjo duke nisur pikërisht nga Masimiliano Alegri, i cili për të udhëhequr një skuadër dhe rrezikuar së dali që në ndeshjen e parë edhe jashtë Ligës së Europës, përveç Champions-it, paguhet 7.5 milionë euro në vit.

Kështu që, nëse kërkon që të ruajë këto fitime dhe mbi të gjitha prestigjin e pankinës së Juventusit, livornezi duhet të mbajë fort timonin tani e në vazhdim dhe të futet në rrugën e duhur për të ndryshuar trendin e sezonit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat