Teuta nuk fal Kukësin

Futboll

Teuta nuk fal Kukësin

Më: 18 shkurt 2023 Në ora: 18:02
Teuta dhe Kukësi

Teuta bën detyrën në shtëpi dhe merr tre pikët përballë një rivali direkt si Kukësi.

Në Niko Dovana, të besuarit e trajnerit Edi Martini fituan me rezultatin 1-0 teksa heroi i sfidës ishte sulmuesi Ildi Gruda.

Në fakt, takimi nisi mirë për verilindorët të cilët treguan dhëmbët me anë të Edison Ndrecës i cili lëshoi një predhë nga distanca dhe që për fatin e mirë të durrsakëve u ndal nga shtylla.

Gjithsesi, pak çaste më vonë, në të 26-tën Gruda realizoi një gol mjaft të bukur teksa kaloi me parabël portierin Tafas.

Megjithatë, Kukësi e pati shansin e barazimit duke qenë se në minutën e 43-të sulmuesi Barbosa u paraqit nga pika e bardhë e penalltisë pasi Daci gaboi me një takë të ngritur në zonë ndaj Mbark.

Por, portieri Pano Qirko kuptoi krahun dhe ndali goditjen duke ruajtur avantazhin e “Djemve të Detit”.

Kaq për pjesën e parë teksa në fraksionin e dytë, ishin sërish durrsakët që patën një mundësi të artë për të dyfishuar me anë të Grudës.

Këtë herë sulmuesi e kaloi sërish portierin Tafas, por në fund u shfaq Bytyçi që e largoi sferën në vijën fatale.

Në minutat e mbetura, vendasit e menaxhuan më së miri avantazhin dhe dolën me tre pikë shumë të rëndësishme për vijimësinë e sezonit teksa ngjiten në kuotën e 28 pikëve në vendin e shtatë të renditjes.

Nga ana tjetër, Kukësi mbetet në zonën e ftohtë të klasifikimit me 25 pikë në vendin e nëntë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat