Nuk ka dyshime për supersfidën e Championsit, Liverpool - Real

Futboll

Nuk ka dyshime për supersfidën e Championsit, Liverpool - Real

Më: 21 shkurt 2023 Në ora: 18:19
Benitez

Një Champions me Liverpulin në finalen dramtike kundër Milanit në vitin 2005, një dështim total në radhët e Realit të Madridit, ndonëse Rafael Benitez është dikushi në arenën ndërkombëtare dhe natyrisht që ai mundohet të lexojë supersfidën e mbrëmjes së sotme në “Anfield Road”.

Trajneri spanjoll në fund nuk kërkon që të zgjedhë mes këtyre dy skuadrave, ndonëse mund të besohet se zemra i rreh më fort për të kuqtë ku kaloi edhe më shumë vite, por si i paanshëm, ai provon të zbulojë anët e forta të të dyja skuadrave:

“Mos më kërkoni një të preferuar, sepse nuk mund të zgjedh mes këtyre dy skuadrave.

Është njësoj sikur të zgjedh mes dy futbollistëve madhështorë, ndonëse dikush ka një cilësi të veçantë më të fortë se një tjetër, me të cilën të mund të bëjë në mënyrë të ndryshme diferencën në fushë.

Gjithsesi, ajo që historia tregon është se kur Liverpuli luan në shtëpi dhe di të krijojë atë intensitet loje, që shtyhet edhe nga publiku vendës, pa dyshim që mund t’i bëjë keq kujtdo.

Kundër Evertonit pashë Liverpulin e vërtetë të Jyrgen Klopit pas shumë ndeshjesh dhe nëse përsërit të njëjtën paraqitje ka shanse që të mundë spanjollët.

Por nga ana tjetër është Reali i Madridit, plot cilësi dhe me eksperiencë për të shitur, i cili edhe nëse humbet një ndeshje di se si të rikuperojë. E ka bërë këtë në secilën prej Champions-ëve të fundit dhe mbi të gjitha, kur luan në “Santiago Bernabeu” di të transformohet në një makineri gati perfekte.

Shkurt, për mua do të vendosin shumë detaje për këtë sfidë dhe mendoj se faktori fushë duhet të jetë ai që duhet të shfrytëzohet më shumë nga secila prej tyre, edhe pse kur në fushë janë Liverpuli dhe Reali, i sigurt është vetëm spektakli, asgjë tjetër”, u shpreh Benitez.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat