Torres: Isha në fund të një pusi

Futboll

Torres: Isha në fund të një pusi

Më: 22 shkurt 2023 Në ora: 16:05
Ferran Torres

Ai tashmë ka veshur disa nga fanellat e klubeve më të rëndësishme në botë si ato të Valencia-s, Manchester City-t dhe Barcelona-s, skuadra e tij aktuale, si dhe është protagonist edhe me kombëtaren spanjolle.

Megjithatë, në karrierën e të riut Ferran Torres gjërat nuk kanë shkuar gjithmonë mirë.

Këtë e ka thënë vetë lojtari, siç raportohet nga La Vanguardia, shpjegoi se si pesha e pritshmërive dhe mjedisi që e rrethonte, e kishin bërë atë “të binte në një pus pa fund”.

Periudha në fjalë është ajo që ka të bëjë me transferimin e tij te Barcelona kur klubi po përjetonte një moment delikat nga pikëpamja ekonomike dhe ai ishte paguar plot gati 70 milionë euro (përfshirë bonuset).

“Ndihesha sikur kisha rënë në një pus pa fund dhe nuk dija si të dilja prej aty.

Nuk isha zhytur kurrë kaq thellë, por i premtova Xavi-t se do të kthehesha vetvetja. Nuk kisha më shumë besim ndaj vendosa të filloj të punoj me një psikolog.

“Unë zakonisht shkoj atje një ose dy herë në javë dhe flasim për gjithçka, futbollin dhe jetën time private.

Më duhet të them se ishte një përvojë shumë e hidhur, por në të njëjtën kohë një mundësi për të njohur veten time. Kam mësuar të jem i lumtur”, tha Ferran Torres.

Siç u përmend, në situatën e tij të vështirë ka pasur rol edhe shuma që klubi kishte shpenzuar për të:

“E kuptova që nuk ishte faji im që më kishin paguar për një çmim kaq të lartë. Doja të vija sepse Barça është Barça dhe nuk mund të refuzohet.

“Xavi më telefonoi shumë herë, por largimi nga City nuk ishte i lehtë.

Sot nuk jam më i fiksuar pas golave. Jam te Barcelona dhe e shoh veten këtu edhe për shumë vite të tjera. Të gjithë shokët e mi më ndihmuan, Busquets më tha të qëndroja i qetë dhe se shpërblimi do të vinte”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat